Gjykata Kushtetuese: Konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e Qeverisë janë bërë në pajtim me dispozitat kushtetuese

Prishtinë, 23 gusht 2026 – Gjykata Kushtetuese e Kosovës vlerësoi se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë është bërë në pajtim me dispozitat kushtetuese.

Ajo ka vendosur që nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës të zgjidhet sa më parë dhe Presidenti i Republikës të zgjidhet deri më 6 tetor.

Kushtetuesja njofton se ky vendim është vendosur me votë unanime, në bazë të dy kërkesave të grupit parlamentar të PDK-së: të vlerësohet nëse Kuvendi është konstituuar brenda afatit kushtetues dhe nëse qeveria është zgjedhur nga Kuvendi i konstituuar pas skadimit të afatit kushtetues.

Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 23 shtator 2026, vendosi lidhur me kërkesat e bashkuara KO256/26 dhe KO258/26, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit nr. 11-V-002, të 9 shtatorit 2026, për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit; Vendimit procedural të 11 shtatorit 2026 për mënyrën e votimit të nënkryetarëve; dhe konstatimit të 13 shtatorit 2026 për konstituimin e legjislaturës XI të Kuvendit”, si dhe “Vendimit Nr. 11-V-007, të 13 shtatorit 2026, për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, të parashtruar nga: KO256/26, Arian Tahiri dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës; dhe KO258/26, Arian Tahiri dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata, njëzëri, vendosi:

  1. TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
  2. TË KONSTATOJË që Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit tridhjetë (30) ditor, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
  3. TË KONSTATOJË që kalimi i afatit tridhjetë (30) ditor për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, kur posti i Presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës sipas neneve 86 [Zgjedhja e Presidentit], 95 [Zgjedhja e Qeverisë] dhe nënparagrafëve 1 dhe 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
  4. TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet që sa më parë të zgjedhin Nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me paragrafin 3 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;  
  5. TË KONSTATOJË që Vendimi [Nr. 11-V-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;  
  6. TË KONSTATOJË që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026;  
  7. TË REFUZOJË kërkesën për masë të përkohshme; 
  8. T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve; 
  9. TË PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës; 
  10. TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

 Vërejtje:

 Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet të gjitha palëve të përfshira në rast dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://www.gjk-ks.org

(r.m.)