Gjykata Kushtetuese rrëzon arkitekturën parlamentare të mazhorancës

Trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese vendosi të hënën njëzëri që të shfuqizojë ndryshimet e njënashme të mazhorancës në Rregulloren e Kuvendit, nëpërmjet të cilave u ndryshua arkitektura e funksionimit parlamentar bazuar në idenë e shpallur në një takim partiak nga kryeministri Edi Rama.

Gjykata Kushtetuese vendosi të hënën të shfuqizojë si antiligjore ndryshimet e reja në arkitekturën parlamentare, të votuara në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca socialiste në shtator të vitit të kaluar.

Duke pranuar ankimimin e PD-së për procedurën e njëanshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën që mazhoranca ndoqi për miratimin e ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, gjykata njoftoi të hënën se ka vendosur shfuqizimin e tyre, “për shkak të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve”. Gjykata e arsyetoi vendimin me shkeljen e rregullave të thirrjes së mbledhjes së Kuvendit si dhe të procedurës së ndjekur për miratimin e aktit objekt shqyrtimi.

Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese vendosi që efektet e këtij shfuqizimi të hyjnë në fuqi 30 ditë pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, në mënyrë që gjatë këtij afati, Kuvendi të ketë mundësinë e organizmit të komisioneve parlamentare sipas standardeve për procedurën e miratimit të akteve të përcaktuar në arsyetimin e këtij vendimi.

Arkitektura e re u shpall nga kryeministri Edi Rama në një asamble të Partisë Socialiste pas fitores së mandatit të katërt qeverisës, përmes së cilës parashikohej shtimi i numrit të komisioneve të përhershme parlamentare dhe riorganizim i tyre.

Si pasojë e ndryshimeve u krijuan 11 komisione të përhershme, nga të cilat vetëm 4 të drejtuara nga opozita, ndërkohë që struktura e mëparshme kishte 8 komisione të përhershme parlamentare, nga të cilat 5 të drejtuara nga mazhoranca dhe 3 nga opozita.

Ndryshimet e reja akomoduan si një komision të përhershëm edhe komisionin e posaçëm të drejtuar nga Fatmir Xhafaj gjatë legjislaturës së kaluar për reformat anti-korrupsion, me emrin e ri; “Për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale”, me qëllimin e mbikëqyrjen e zbatimit të rekomandimeve parlamentare për institucionet e pavarura në procesin e negociatave për integrim në BE.

Në ndryshimet e bëra në mënyrë të përshpejtuar dhe të njëanshme, mazhoranca i hoqi opozitës rolin e saj në çështjen e integrimit europian, duke  shkrirë komisionin parlamentar për çështjet e Integrimit që drejtohej nga opozita dhe duke i hequr të drejtën e kryesimit të Këshillit Kombëtar për Integrimit, një strukturë që siguron komunikimin mes parlamentit, shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura për procesin e integrimit.

Në ankimimin e saj në Gjykatën Kushtetuese, Partia Demokratike argumentoi se mënyra se si ndryshimet u votuan 5 ditë pasi Rama i shpalli ato publikisht cënojnë parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe tregojnë për një ndërhyrje flagrante të pushtetit ekzekutiv në pushtetin legjislativ për çështje të organizimit dhe funksionimit të tij.

(Reporter)