Tiranë, 13 mars 2026 – Gjykata Kushtetuese njoftoi të premten se e ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit Ilir Beqaj për shfuqizimin e masës së arrestit me burg.
Në kërkesën e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese, Beqaj, i cili akuzohet për buzime me fondet e ndihmës së Bashkimit Europian, pretendoi se atij i ishte cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor, duke mos i arsyetuar rrezikshmërinë dhe shtimin e akuzës së falsifikimit; si dhe parimin e sigurisë juridike dhe proporcionalitetit lidhur me lirinë personale.
Prokuroria e Posaçme, në cilësinë e subjektit të interesuar, i ka kundërshtuar si të pabazuara pretendimet e Beqajt, duke konstatuar se gjykatat e kanë arsyetuar në mënyrë shteruese çështjen e rrezikshmërisë së veprave për të cilat ai akuzohet dhe rrezikun e përsëritjes së tyre.
Sipas SPAK, masa më e lehtë e sigurimit e kërkuar nga Beqaj, “garancia pasurore”, ka qenë e papërshtatshme dhe joproporcionale.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se nga të tria gjykatat e zakonshme është respektuar kriteri kushtetues i dyshimit të arsyeshëm si kusht për kufizimin e lirisë personale.
Shumica e trupës së Gjykatës Kushtetuese, e përbërë nga gjyqtarët Fjona Papajorgji, Marsida Xhaferllari, Ilir Toska, Marjana Semini dhe Asim Vokshi, e kanë rrëzuar si të pabazuar kërkesën e Beqajt.
Sipas tyre, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë, me të drejtë kanë vlerësuar se në fazat fillestare të hetimit ekzistonin kushtet për vendosjen e masës së sigurisë “arrest në burg”, dhe i kanë arsyetuar mjaftueshëm faktet që kanë qenë bazë për vendimarrjen e tyre.
Lidhur me pretendimin për ngritjen e një akuze të re nga ana e gjyqtarit të Apelit të Posaçëm, shumica e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka vlerësuar fakti penal i paraqitur nga prokuroria në kërkesën për masën e sigurimit në thelb përbën vlerësim të gjykatës.
Ata kanë vlerësuar se kufizimi i lirisë personale i Beqajt është vendosur me vendim gjyqësor, bazuar në dyshime të arsyeshme se ai i ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet dhe në pajtim me procedurat e parashikuara në ligj.
“Në dritën e këtyre konsideratave, Gjykata vlerëson se në çështjen penale ndaj kërkuesit duket se ka informacione që do të bindnin një vëzhgues të paanshëm se ai mund të ketë kryer veprat penale për të cilat është i dyshuar, ndaj nuk mund të konkludohet se ai është arrestuar në mungesë të dyshimit të arsyeshëm”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Dy gjyqtarët i dhanë të drejtë Beqajt, Sonila Bejtja dhe Sandër Becduke, kanë vlerësuar se masa “arrest në burg” e caktuar ndaj Beqajt nuk është proporcionale, prandaj duhet të ishte vendosur për pranim të pjesshëm të kërkesës dhe për kthim të çështjes për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.
(r.m.)