Gjykata Kushtetuese tregon se Presidentja Osmani kishte të drejtë ta tërhiqte kërkesën e saj

Prishtinë, 6 gusht 2025 – Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shprehur pozicionin e saj lidhur me caktimin e gjyqtarit Radomit Llaban si gjyqtar raportues për kërkesën e Presidentes së vendit, Vjosa Osmani, lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit, si edhe lidhur me tërheqjen e kërkesës nga ana e Presidentes.

Në sqarim thuhet se ndarja e lëndëve bëhet në bazë të rregullave të qarta procedurale.

“Ndarja e lëndëve për shqyrtim tek gjyqtarët raportues dhe kolegjet shqyrtuese në Gjykatën Kushtetuese bëhet në bazë të rregullave të qarta procedurale, të cilat kjo Gjykatë i respekton me përpikëri. Gjykata Kushtetuese, si organ kolegjial, vendimet e saj i merr në përbërje të plotë.”, thuhet në sqarim.

Kushtetuesja sqaron gjithashtu se palët që i drejtohen asaj, si Presidentja Osmani në rastin konkret, kanë të drejtë t’I tërheqin kërkesat e tyre.

“…është e drejtë e palëve para Gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, të cilat Gjykata Kushtetuese i trajton bazuar në Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës”, shpjegon Kushtetuesja.

Në sqarimin e saj, Kushtetuesja e shpjegon edhe çështjen e integritetit të gjyqtarit Radomir Llaban, të vënë në dyshim nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Ajo bëri të ditur se Llaban e ushtron funksionin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese prej 9 gushtit të vitit 2018, siç thuhet, “pasi i është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës”.

Kushtetuesja tha se “procedurat për shkarkimin e gjyqtarëve janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë”.

Sqarimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:

Në përgjigje të interesimit të mediave dhe opinionit të gjerë përkitazi me kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës të datës 5 gusht 2025 për tërheqjen e kërkesës KO215/25, të parashtruar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovë më 22 korrik 2025, Gjykata Kushtetuese sqaron si në vijim:

Bazuar në nenin 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Gjykata Kushtetuese trajton të gjitha çështjet e dorëzuara në mënyrë ligjore nga palët e autorizuara. Ndarja e lëndëve për shqyrtim tek gjyqtarët raportues dhe kolegjet shqyrtuese në Gjykatën Kushtetuese bëhet në bazë të rregullave të qarta procedurale, të cilat kjo Gjykatë i respekton me përpikëri. Gjykata Kushtetuese, si organ kolegjial, vendimet e saj i merr në përbërje të plotë. Në këtë kontekst, është e drejtë e palëve para Gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, të cilat Gjykata Kushtetuese i trajton bazuar në Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës.

Sa u përket çështjeve të ngritura përkitazi me Gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Radomir Laban, siç jeni të informuar, i njëjti ka qenë i punësuar në Gjykatën Kushtetuese që nga viti 2011, në pozitën e Këshilltarit juridik, dhe që nga data 9 gusht 2018 ushtron funksionin e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, pasi i është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, procedurat për shkarkimin e gjyqtarëve janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë.

Gjykata Kushtetuese si autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës, në përputhje me përgjegjësitë dhe mandatin e saj, i trajton të gjitha kërkesat e dorëzuara nga palët e autorizuara me paanshmëri, përkushtim dhe profesionalizëm, ashtu siç përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

(r.m.)