Gjykata Kushtetuese u jep të drejtë gjyqtarëve për rritje të pagës

Tiranë, 18 shkurt 2026 – Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e pranoi pjesërisht kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve lidhur me përllogaritjen e rritjes së pagës së magjistratëve, pavarësisht se kryeministri Edi Rama ndërmori një fushatë kundër kërkesës së paraqitur nga gjyqtarët.

Unioni i Gjyqtarëve dhe më vonë Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kërkuan që të shpalleshin antikushtetuese nenet e ligjit që e lidhin pagën e magjistratëve me atë të Presidentit të Republikës, duke kërkuar që pagat e tyre të përllogariteshin bazuar në referencat për pagat e administratës.

Në vendimin e shpallur të martën, Gjykata Kushtetuese e la në dorë të Kuvendit përzgjedhjen e referencës ku do të bazohet përcaktimi i pagës për magjistratët, por vendosi që magjistratët duhet të përfitojnë të njëjtën rritje si funksionarët e tjerë.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, gjatë njoftimit të një përmbledhjeje të arsyetimit të vendimit, konstatoi se paprekshmëria e pagës dhe e përfitimeve të tjera janë ngritur në nivel kushtetues, me qëllim që të drejtat që  burojnë nga ushtrimi i funksionit të gjyqtarit, të mos ndryshohen me efekt negativ.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, paga është një nga garancitë thelbësore për pavarësinë e gjyqtarëve dhe se duhet t’i përgjigjet rëndësisë së funksioneve që ata kryejnë.

Duke ju referuar një vendimi të vitit 2022, Papajorgji solli në vëmendje se kur Gjykata Kushtetuese shqyrtoi formulën e përcaktuar me ligjin nr. 50/2021, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, u theksua se ligjvënësi ka diskrecion për formulën e referencës në shërbimin civil ose në pagat e funksionarëve publikë të tjerë. Ndërsa u përcaktua se duhet të mbahen parasysh përcaktimet e nenit 138 të Kushtetutës, duke garantuar në çdo rast, që paga dhe përfitimet e tjera që vijnë si rrjedhojë e zbatimit të sistemit të referencës së pagave, të mos ulen nën standardet e përcaktuara në atë vendim.

Gjykata Kushtetuese vlerëson se ligjvënësi duhet të ndalojë uljen e drejtëpërdrejtë ose të fshehur të pagave, si dhe që paga të jetë e mjaftueshme dhe në përpjesëtim me dinjitetin dhe rëndësinë e funksionit. Po ashtu, është vlerësuar se duhet të garantohet indeksimi i pagës për shkak të inflacionit me qëllim që ajo të ruajë vlerën reale, sipas kostos së jetesës.

“Gjykata, në përputhje me standardet kushtetuese të lartpërmendura, vlerëson se është kushtetutshmërisht e lejueshme që ligjvënësi të parashikojë sisteme të ndryshme mes gjyqtarëve dhe funksionarëve të tjerë publikë apo që të ndryshojë formulën e llogaritjes së pagës së magjistratëve, por mbrojtja kushtetuese që ofron neni 138 i Kushtetutës nuk lejon rregullime që sjellin rënie të vlerës reale të pagës gjyqësore, të drejtpërdrejtë apo të fshehtë”, thekson Gjykata Kushtetuese.

Në vijim konstatohet se paga e magjistratit e caktuar në vitin 2016 nuk ka pësuar ndryshim, por vetëm problematika të zbatimit të ligjit në praktikë për shkak të mënyrës së formulimit të normës ligjore. Po ashtu, sillet në vëmendje se pas vitit 2016, ekonomia e vendit është rritur dhe të ardhurat në buxhetin e shtetit janë rritur, si dhe janë rritur çmimet për shkak të fenomeneve globale si COVID-19 dhe lufta në Ukrainë.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, megjithëse autoritetet shtetërore bazuar në këto faktorë ekonomikë, kanë ndërmarrë politika për rritjen e pagave në sektorin publik dhe atë privat, paga e magjistratit ka mbetur e pandryshuar në dallim nga paga e nëpunësve të shërbimit civil apo e Presidentit të Republikës, që pësuan rritje domethënëse.

“…Ndonëse rezultati në vlerë financiare absolute i pagës së gjyqtarit, i prodhuar nga formula e re sipas ligjit objekt shqyrtimi, nuk është më i ulët se sa ai i prodhuar nga formula e mëparshme, formula e kundërshtuar në raport me rritjen ekonomike si dhe rritjen e çmimeve, ka sjellë ulje të fshehur të shënjestruar të pagës së magjistratit, duke e ngrirë atë, arsye për të cilën ligji nr. 33/2023 duhet të shfuqizohet”, argumenton Gjykata Kushtetuese dhe përcakton se i takon Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, sipas arsyetimit të këtij vendimi.

Kjo, me qëllim përshtatjen e pagës së magjistratit me standardet kushtetuese. Gjykata përcakton se ky detyrim duhet të realizohet brenda datës 31 korrik të këtij viti. Po ashtu, kërkohet që ligji i ri të ketë fuqi prapavepruese, me qëllim që efektet financiare në rritjen e pagës së magjistratëve, të llogariten nga data 1 prill e vitit 2023.

Bazuar në këtë arsyetim, trupa e Gjykatës Kushtetuese, me shumicë votash vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve, duke shfuqizuar fjalinë e parë të shkronjës “a” të nenit 1, si dhe të pikës 2 të nenit 2 të ligjit nr. 33/2023, datë 25.05.2023 “Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”, duke I cilësuar si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Efektet e shfuqizimit të këtyre përcaktimeve hyjnë në fuqi ditën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore dhe jo më vonë se data 31 korrik. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përcaktuar të hyjë në fuqi në ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Kërkesa e Unionit të Gjyqtarëve për pagat e magjistratëve u kthye në objekt debati e sulmesh nga kryeministri Edi Rama. Më datë 20 janar, ndërsa Gjykata Kushtetuese po zhvillonte seancën për shqyrtimin e padisë së shoqatave të gjyqtarëve për mënyrën e llogaritjes së pagës, kryeministri Edi Rama lëshoi një sulm, duke e cilësuar procesin farsë dhe kërkesën për rritje pagash kërcënim për hierarkinë e shtetit. Ai kreu disa sulme ndaj gjyqësorit lidhur me këtë çështje.

(Reporter)