Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme që e ndalon çdo veprim për formimin e Qeverisë

Prishtinë, 5 shtator 2025 – Gjykata Kushtetuese e Kosovës njëzëri ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Masa do të jetë në fuqi nga 5 shtatori deri më 30 shtator.

Kjo masë u vendos nga Gjykata në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

Kushtetuesja tha se e pranoi kërkesën për masë të përkohshme, sepse ajo i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”.

Gjykata theksoi se “është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit” derisa të vlerësohen dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese në seancat e 26 dhe 28 gushtit

Ajo tha se masën e përkohshme e vendosi “në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës”.

Nëntë deputetët e Listës Serbe dhe deputeti goran, Adem Hoxha iu drejtuan Kushtetueses me kërkesë më 30 gusht, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.

Ankesa e Listës Serbe, e cila kontrollohet nga Beogradi zyrtar, erdhi pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komunitetet pakicë joserb dhe nga komuniteti pakicë serb. Përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare, por procesi ngeci te votimi për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Lista Serbe, e cila në Kuvend i ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, e propozoi Sllavko Simiqin, por ai nuk i mori 61 votat e nevojshme as pas tri raundeve të votimit. Lista Serbe nuk pranoi të propozonte një kandidat tjetër, prandaj kryetari Basha, duke u bazuar në Rregulloren e punës së Kuvendit, vendosi të hidhte short për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb. Për këtë pozitë u propozuan me radhë të gjithë deputetët e Listës Serbe, por edhe Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, por as ai nuk i mori votat e nevojshme.

Pasi të gjithë deputetët serbë u hodhën në votim nga tri herë dhe dështuan të zgjedheshin në postin e nënkryetarit, Basha në mënyrë të njëanshme mbylli seancën konstituive dhe deklaroi se Kuvendi është konstituuar.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme u publikua dy ditë para se Lëvizja Vetëvendosje, partia më e madhe në Kuvfend, ta Albin Kurtin si mandatar për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

(r.m.)