Gjykata liron nga qelia ish-gjyqtaren Pajtime Fetah

Tiranë, 20 shtator 2025 – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të premten më 19 shtator zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” të caktuar më 22 nëntor të vitit të kaluar ndaj ish-gjyqtares se Elbasanit, Pajtime Fetah, duke e vendosur të hetuarën në “arrest shtëpie”. Vendimi u mor  nga gjyqtari Erjon Çela.

Fetah u arrestua më 25 nëntor 2024 me urdhër të SPAK, pasi dyshohet se kishte ndihmuar organizatën kriminale të kryesuar nga Suel Çela me informacione, lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor, në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale. Ajo dyshohet gjithashtu se ka dhënë informacione sekrete edhe anëtarëve të tjerë të krimit të organizuar.

Në njoftimin e gjykatës nuk është përcaktuar arsyeja e ndryshimit të masës së sigurisë, por avokati i Fetah, Ardian Leka, i tha BIRN se kërkesa për lirimin nga qelia ishte mbështetur në gjendjen shëndetësore të klientes së tij. Sipas tij, mjekët kanë konkluduar se ish-gjyqtarja vuan nga probleme të zemrës, të enëve të gjakut dhe tiroideve, ndërsa në moshën 67-vjeçare është e pamundur për të qëndruar në paraburgim. “Në këto kushte, gjykata vendosi të zëvendësojë masën duke caktuar ‘arrest në shtëpi’,” tha Leka.

Vendimi parashikon lirimin e menjëhershëm të Fetah nga ambientet e paraburgimit dhe i kërkon SPAK-ut dhe policisë gjyqësore ta ekzekutojnë menjëherë. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda pesë ditëve.

(Reporter)