Beograd, 2 shkurt 2024 – Gjykata e Apelit e Serbisë në Beograd i ka liruar të premten katër ish-pjesëtarët e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, të akuzuar për vrasjen e gazetarit, Sllavko Quruvija, në prill të vitit 1999.
Gjykata e rrëzoi aktgjykimin e shkallës së parë dhe i liroi Radomir Markoviqin nga akuzat për nxitjen e vrasjes së rëndë, si dhe Millan Radonjiqin, Mirosllav Kurakin dhe Ratko Romiqin nga akuzat për bashkëpjesëmarrje në kryerjen e vrasjes së rëndë.
“Në mungesë të dëshmive të drejtpërdrejta dhe indirekte, të cilat në mënyrë gjithëpërfshirëse dëshmojnë se Markoviq, Radonjiq, Burak dhe Romiq janë fajtorë për këtë vepër penale, Gjykata e Apelit gjen se akuzat në aktakuzë nuk janë dëshmuar në mënyrë absolute”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Quruvija ishte pronar dhe redaktor i “Dnevni telegraf” (Telegrafi Ditor) dhe i gazetës javore, “Evropljanin”, (Evropiani).
Sllavko Quruvija ishte vrarë më 11 prill 1999 në qendër të Beogradit, para hyrjes së ndërtesës në të cilën banonte.
Ai ishte kritik i madh i presidentit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Gjykimi për vrasjen e tij nisi në qershor të vitit 2015 – gati 17 vjet pas vdekjes së tij.
Më 2019, Gjykata Speciale në Beograd i shpalli fajtorë për vrasjen e tij katër ish-pjesëtarët e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë.
Gjykata tha se vrasësi i drejtëpërdrejtë i tij ishte një person i panjohur.
Markoviq, ish-shef i Sigurimit Shtetëror (SSH), u dënua me 30 vjet burgim për nxitje të vrasjes së rëndë.
Radonjiq, ish-shef i qendrës së SSH-së në Beograd, po ashtu u dënua me 30 vjet burgim për vrasje të rëndë.
Ish-anëtarët e Sigurimit Shtetëror Ratko Romiq dhe Mirosllav Kurak u dënuan me nga 20 vjet burgim secili për vrasje të rëndë.
Megjithatë, Gjykata e Apelit e rrëzoi atë vendim në shtator 2020, duke thënë se Gjykata Speciale i tejkaloi akuzat dhe e ndryshoi gjendjen faktike e përshkruar në aktakuzë duke e futur një person të panjohur si fajtorin e drejtpërdrejtë për vrasjen.
Në një rigjykim në dhjetor 2021, Gjykata Speciale e dha një aktvendim të ri, duke i dënuar përsëri Markoviqin dhe Radonjiqin me nga 30 vjet burgim secilin, ndërsa Romiqin dhe Kurakun me nga 20 vjet burgim secilin.
Në atë kohë, Reporterët Pa Kufi e mirëpritën vendimin si “një proces i brishtë në vendosjen e drejtësisë për krimet e kryera kundër gazetarëve” në Ballkan.
Megjithat, Gjykata e Apelit në Beograd i shqyrtoi ankesat e të akuzuarve në dhjetor 2022, para se ta merrte vendimin e fundit të premten pasdite për lirimin e tyre.
(REL)