Prishtinë, 29 gusht 2025 – Gjykata Supreme e Kosovës i ka hapur rrugë pjesëmarrjes së partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, në zgjedhjet lokale më 12 tetor. Kjo gjykatë, e cila është shkalla më e lartë e gjykimit për çështje të zgjedhjeve, e ka hedhur poshtë ankesën e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshit e Alban Krasniqit, kundër vendimit të Panelit Zgjedhir për Ankesa e Parashtresa (PZAP) për certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe për zgjedhjet lokale.
“Hidhet poshtë si e palejuar ankesa e parashtruar nga Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Supreme të marrë më 28 gusht.
Në arsyetimin e aktvendimit thuhet se Kurteshi e Krasniqi janë ankuar ndaj vendimit të PZAP-së në cilësinë e anëtarëve individualë të KQZ-së, prandaj ata nuk kanë legjitimitet të parashtrojnë ankesë në emër të tyre personalisht, sepse, sipas vendimit të PZAP-së, nuk janë palë të drejtpërdrejta.
“Kjo për faktin se sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate të drejtë për të paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të PZAP-it, përveç personave që kanë interes ligjor (të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 119), ka vetëm KQZ-ja, përkatësisht zyra e saj, ashtu siç është e përcaktuar me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, përkatësisht nenin 119 paragrafi 2, e jo anëtarët individual të saj. Për më tepër, këta të fundit e shprehin mendimin e tyre gjatë procesit të vendimarrjes brenda KQZ-së, por nuk legjitimohen që të veprojnë si palë individuale në procedurë gjyqësore, siç është edhe rasti konkret”, thuhet në aktvendim.
Gjykata Supreme ka thënë se kolegji i saj nuk është lëshuar në shqyrtimin meritor të çështjes së ngritur me ankesën e ankuesit.
PZAP-ja e kishte anuluar vendimin e KQZ-së të datës 21 gusht, me të cilin ishte refuzuar certifikimi i kandidatëve të Listës Serbe për zgjedhjet lokale pas vlerësimit se disa prej kandidatëve nuk i përmbushnin kriteret ligjore për të qenë pjesë e garës zgjedhore.
Sipas arsyetimit të PZAP-së, vendimi i KQZ-së nuk kishte qenë i bazuar në ligj dhe nuk ishte dëshmuar bindshëm se kandidatët që nuk ishin certifikuar ishin në kundërshtim me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili i përcakton kriteret për të fituar të drejtën për t’u zgjedhur.
Dy anëtarët e LVV-së në KQZ, Kurteshi dhe Krasniqi, ishin të vetmit që kishin votuar kundër certifikimit të kësaj partie. Për certifikim kishin votuar dy anëtarë të KQZ-së, kurse shtatë të tjerër kishin abstenuar.
Vendimi për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale kishte hasur në reagime të forta në Beograd, si edhe në përfaqësitë diplomatike të Bashkimit Evropian dhe ato të vendeve të QUINT-it.
(r.m.)