Prishtinë, 25 mars 2026 – Gjykata Supreme e Kosovës njoftoi se e ka shpallur të paligjshëm një nen të një udhëzimi administrativ që pensionistëve kontributpagues nuk ua njihte diplomat e marra pas 1 janarit të vitit 1991, kështu që ata nuk mund të përfitonin nga kriteri i nivelit të arsimit.
Supremja tha se ka shfuqizuar paragrafin 5 të nenit 5 të një udhëzimi administrativ të miratuar më 2015, që rregullon kategorizimin e kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontribut-pagues sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve.
“Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar paragrafin 5 të nenit 5 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2015 (MPMS), i cili rregullon kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontribut-pagues sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve.”, thuhet në njoftim.
Sipas këtij neni, pensionistët duhej të dëshmonin kualifikimin e tyre arsimor – qoftë të mesëm, të lartë, universitar dhe pasuniversitar – të fituara para kësaj date.
“Gjykata vlerëson se dispozita e kontestuar, e cila kërkonte që dëshmitë për kualifikim arsimor të jenë të fituara para datës 01.01.1991, nuk ka bazë ligjore dhe përbën tejkalim të autorizimit të dhënë me ligj. Sipas arsyetimit të aktgjykimit, ligji përkatës për skemat pensionale nuk e lidhin të drejtën në pension me kohën e fitimit të kualifikimit arsimor, por me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve ligjore”, thuhet më tutje në njoftim.
Gjykata Supreme tha po ashtu se kufizimi i vendosur është “arbitrar” pa ndonjë “qëllim të qartë legjitim dhe joproporcional”, duke argumentuar se përjashton një kategori të tërë pensionistësh kontributpagues “që kanë përmbushur kushtet ligjore, vetëm për shkak të kohës së fitimit të kualifikimit të tyre arsimor.
Ajo gjeti se neni i shfuqizuar ishte në kundërshtim me Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti.
Në Kosovë ekzistojnë disa kategori pensionesh. Pensioni i moshës është 150 euro, ndërsa pensioni i [ernsionistëve kontributpagues sillet nga 218 deri në 318 euro në muaj, varësisht shkallës së arsimimit.
(r.m.)