Tiranë, 6 tetor 2025 – Gjyqtari Astrit Kalaja është qëlluar për vdekje me armë zjarri gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Apelit në Tiranë, të hënën. Policia njoftoi se Kalaja është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Traumës në Tiranë, por nuk i ka përballuar plagët e marra.
Policia njoftoi se autori i këtij krimi, Elvis Shkambi, 30 vjeç, i cili ishte palë në një proces gjyqësor për çështje pronësie, është arrestuar.
Nga të shtënat kanë mbetur të plagosur edhe Rakip Kurtaj, 65 vjeç, dhe Ervis Kurtaj, 45 vjeç, babë e bir, me të cilët autori ishte në proces gjyqësor.
Policia, në një njoftim fillestar, tha se Elvis Shkambi ka qëlluar ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja dhe Rakip Kurtajt dhe Ervis Kurtajt, me të cilët ishte në proces gjyqësor për çështje pronësie.
“Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces). Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftim.
“Shërbimet e Policisë. me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit”, thuhet në njoftim fillestar të policisë.
Gjyqtari i ndjerë Astrit Kalaja ka lindur në Shkodër. Fakultetin e Drejtësisë e ka mbaruar në vitin 1993. Menjëherë pas mbarimit të studimeve është emëruar gjykatës në rrethin e Shkodrës. Ai ka shërbyer në këtë gjykatë deri në vitin 2004, kur është emëruar gjykatës në Gjykatën e Apelit në Shkodër, ku ka shërbyer deri në vititin 2023, kur është emëruar gjykatës në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Ai është zgjedhur anëtar i Kolegjit Zgjedhor tri mandate radhazi.
Raportohet se autori i krimit, Elvis Shkambi, është nga Shkodra. Ai është djali i Gjon Shkambit, i cili kishte një kontekst pronësor me të paktën 31 familje që jetojnë në lagjen “Skenderbeg” në Shkodër.
Në vitin 1992, me vendim të bashkisë së Shkodrës, këto 31 familje janë vendosur në godinën e ish-shkollës së rezervave të ndërtimit, pronësia e tokës ku gjendet godina pretendohet nga Gjon Shkambi.
Banorët thonë se prona është akoma shtetërore dhe dokumentet janë falsifikuar nga Shkambi, por ai pretendon se pronën e ka fituar në rrugë ligjore dhe kërkon që pronat t’i kthehen.
Në vitin 2020, në zyrën private të përmbarimit e kthyen mbrapsht Shkambin, me arsyetim se dokumentet e pronësisë që i posedon ai janë false.
Ndërkohë, banorët e ndërtesës e kishin hedhur në gjyq Shkambin, duke e akuzuar për marrjen e pronave që u është dhënë në shfrytëzim nga shteti. Prej atëherë kontesto mes Shkambit dhe 31 familjeve që banojnë në lagjen “Skenderbeg” në Shkodër është bartur nëpër zyrat e institucioneve shtetërore dhe të organeve të drejtësisë.
(r.m.)