Hagë, 15 janar 2024 – Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të hënë u mbajt seanca e parë e këtij viti kundër katër ish-udhëheqësve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në këtë séance dëshmoi dëshmitari i 39-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ai dëshmoi nën masa mbrojtëse, kurse pothuaj dëshmina e tij u paraqit në seancë private.
Por fillimisht prokurori Nathan Quick prezantoi para trupit gjykues përmbajten e dëshmisë së dëshmitarit të 39-të.
“Dëshmitari ka shërbyer në Zonën Operative të Dukagjinit nga mesi i vitit 1998 dhe jep informacion sa u takon strukturës dhe marrëdhënies ndërmjet forcave të UÇK-së dhe forcave të armatosura të Republikës së Kosovës (FARK). Sipas dëshmitarit, FARK-u dhe njësi të caktuar në dhe përreth Zonës Operative të Dukagjinit kanë respektuar vetëm autoritetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që është njohur edhe si Qeveria në Ekzil”, tha prokurori Quick.
Sipas tij, situata kishte ndryshuar pas një takimi që kishte pasur Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së me anëtarë të FARK-ut.
“Dëshmitari do të tregojë që në mbledhjen mes anëtarëve të FARK-ut dhe të UÇK-së, diku kah fundi i gushtit apo fillimi i shtatorit 1998, anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së kanë vendosur autoritetin e plotë mbi forcat në Zonën Operative të Dukagjinit. Sipas dëshmitarit, personi kryesor në UÇK ka qenë Hashim Thaçi”, theksoi prokurori Quick.
Ai shpjegoi se, me kërkesë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, deklaratat e këtij dëshmitari të dhëna më herët, së bashku me materialet përcjellëse, janë pranuar si prova materiale.
Dëshmia e dëshmitarit të 39-të pritet ta vazhdojë të martën, kur është planifikuar të merret në pyetje nga avokatët mbrojtës të të akuzuarve.
Dëshmia e tij pritet të zgjasë dy ose tri ditë.
(r.m.)