Gjyqi ndaj Sonila Qatos: Ekspertiza e re tregon për favorizim të firmës “Gjoka”

Tiranë, 5 nëntor 2024– Diskutimet mbi ekspertimin e ri të kryer për punimet e rrugës së Arbrit të kryera nga shoqëria “Gjoka”, që janë përdorur si punime të ngjashme në garën për tenderin 19 milionë euro të tunelit të Skërficës në rrugën Kardhiq-Delvinë në vitin 2019, u përmbyllën të martën më 5 nëntor, pasi u shteruan pyetjet e pakta të palëve në procesin penal ndaj ish-drejtoreshës së ARRSH-së, Sonila Qato dhe disa vartësve të saj.

Qato dhe zyrtarët e tjerë të ARRSH-së akuzohen se favorizuan një shoqëri në hije në tenderin 19 milionë euro të tunelit të Skërficës në rrugën Kardhiq-Delvinë në vitin 2019, duke skualifikuar shoqërinë “Gjoka” bazuar në një ekspertim për punimet e kryera deri atëherë në Rrugën e Arbrit. Megjithatë, pas kallëzimit të kryer ndaj Qatos dhe vartësve të saj, “Gjoka” arriti të fitojë tenderin. Qato dhe të pandehurit e tjera i mohojnë akuzat dhe kërkojnë vendosjen para përgjegjësisë penale të shoqërisë “Gjoka”.

Ekspertimi i ri u krye pasi u vlerësua i pavlefshëm dhe i papërdorshëm një akt i kryer nga ekspertë të caktuar nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda në vitin 2019, për arsye se një prej ekspertëve kishte qenë i dënuar.

Prokurori Elvin Gokaj, i cili përfaqëson SPAK në gjykimin e kësaj çështjeje, i pyeti ekspertet se sa kanë rezultuar në përqindje punimet e kryera prej kompanisë “Gjoka” në rrugën e Arbërit.

Ekspertet u shprehën se ka rezultuar se kanë qenë të realizuar 79.91% të punimeve në të tre tunelet.

Avokatët pyetën nëse në këtë përllogartije janë përfshirë edhe punimet e fshehura, që nuk janë të dukshme. Ekspertet theksuan se punimet e maskuara i kanë konsideruar 100%, pasi nuk mund t’i konstatojnë. Sipas tyre, pa ato punime nuk mund të vijohet me të tjerat.

Përfaqësuesi ligjor i Qatos, avokati Vladimir Meçe kërkoi nga ekspertet që të saktësonin nëse ka pasur punime të përfunduara në vitin 2019. Ekspertet u shprehën se iu ka rezultuar se është realizuar 79.91% e punimeve, por se nuk ka pasur punime të përfunduara.

Në vijim, në përgjigje të pyetjeve të avokatëve, ekspertet thanë se tabelat e punimeve të pakryera në të dy raportet e hartuara nga ARRSH janë të njëjta.

Pasi palët nuk kishin kundërshtime apo qëndrime të tjera lidhur me ekspertimin e ri, gjykata konstatoi përmbylljen e kësaj faze të gjykimit dhe i lejoji ekspertet të largoheshin nga salla.

Në vijim, gjykata rrëzoi si të pabazuar një kërkesë të shoqërisë “Gjoka”, për t’u pyetur lidhur me aktin e ekspertimit teknik për punimet në tre tunelet në rrugën e Arbrit, që i në 2019-ën i ka paraqitur në tender si punime të ngjashme. Kryesuesja e trupit gjykues, Irena Gjoka tha se gjykata i ka përmbushur gjithë detyrimet ligjore dhe se shoqëria “Gjoka” në cilësinë e viktimës ka të drejtë të paraqitet në seancë sa herë ta vlerësojë.

Me kërkesë të prokurorit për më shumë kohë për të paraqitur prova të reja në gjykim, nëse do të ketë të tilla, gjykata vendosi shtyrjen e seancës për më datë 19 nëntor, në orën 09:30.

(Reporter.al)