Gjyqi për korrupsion ndaj Senatorit Bob Menendez do të fillojë në maj

Nju Jork, 3 tetor 2023 – Gjyqi ndaj Senatorit Bob Menendez, i akuzuar për korrupsion, do të fillojë në maj tha të hënën një gjykatës federal në Nju Jork.

Senatori demokrat nga Nju Xhersi ka deklaruar se është i pafajshëm dhe ka hedhur poshtë thirrjet për dorëheqje pas ngritjes së akuzave muajin e kaluar për marrje ryshfeti nga tre biznesmenë.

Gjykatësja Sidney Stein caktoi fillimin e çështjes më 6 maj, duke u dhënë prokurorëve kohë për t’u dorëzuar provat avokatëve të zotit Menendez dhe për t’i lejuar ata që të përgatiten për sfidat ligjore. Prokurorët federalë në Manhatan e kanë akuzuar 69-vjeçarin Menendez dhe gruan e tij se kanë pranuar shufra ari dhe qindra mijëra dollarë në kash në këmbim të përdorimit të ndikimit të senatorit për përfitime për qeverinë e Egjiptit dhe për të ndërhyrë në hetimet e organeve të rendit ndaj biznesmenëve nga Nju Xhersi.

Gruaja e senatorit dhe biznesmenët Jose Uribe 56 vjeç, Fred Daibes 66 vjeç dhe Wael Hana 40 vjeç, kanë deklaruar se janë të pafajshëm.

Në dokumentet e aktakuzëz përfshihen edhe foto të shufrave të arit dhe shumave të dollarëve të sekuestruara nga shtëpia e zotit Menendez.

Prokurorët thonë se i akuzuari Wael Hana organizoi takime midis senatorit dhe zyrtarëve egjiptianë, të cilët i kërkuan zotit Menendez që ta miratonte ndihmën ushtarake. Në këmbim, i akuzuari Wael Hana e vuri gruan e senatorit në borderonë e kompanisë së tij.

Rasti në fjalë shënon herën e tretë që janë ngritur akuza ndaj zotit Menendez nga prokurorë federalë. Ai nuk është dënuar asnjëherë.

Zoti Menendez, një nga dy senatorët që përfaqësojnë Nju Xhersin, u largua nga roli i tij si kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, siç e kërkojnë rregullat e partisë së tij. Por ai ka thënë se është i pafajshëm dhe ka refuzuar thirrjet e disa prej kolegëve të tij senatorë demokratë për të dhënë dorëheqjen.

(Zëri i Amerikës)