Gjyqtarët italianë bllokojnë sërish dërgimin e emigrantëve në Shqipëri

Romë, 11 nëntor 2024 – Një gjykatë në Romë u kërkoi të hënën gjykatësve të Bashkimit Evropian që të shqyrtojnë mbajtjen në Shqipëri të emigrantëve që kapen në det. Duke e referuar rastin tek Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian vendimi e pengon sërish përpjekjen e qeverisë së djathtë italiane për të zbatuar planin e saj mbi emigracionin e paligjshëm.

Kryeministrja Giorgia Meloni firmosi marrëveshjen për ndërtimin e kampeve të emigrantëve në Shqipëri, ku po dërgohen disa prej emigrantëve që kapen në Mesdhe. Ata duhet të mbahen në këto kampe, ndërsa përpunohen kërkesat e tyre për azil.

Një grup migrantësh nga Egjipti dhe Bangladeshi, u dërguan në Shqipëri pasi u kapën në det, javën e kaluar. Fillimisht ishin tetë prej tyre, por njëri u transferua në Itali, për arsye shëndetësore.

Gjyqtarët i dhanë goditjen e parë planit muajin e kaluar, duke vendosur që grupi i parë i azilkërkuesve të dërguar në Shqipëri duhej të kthehej në Itali. Vendimi u mori për shkak të shqetësimeve mbi statusin e tyre ligjor, pas një vendimi të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së për këtë çështje.

Emigrantët që pritet të dërgohen në Shqipëri janë meshkuj që vijnë nga një listë vendesh që Italia i ka klasifikuar si të sigurta, që do të thotë se kërkesat e tyre për azil kanë pak shanse për t’u pranuar dhe ata mund të riatdhesohen me shpejtësi.

Por në vendimin e tyre të parë, gjyqtarët thanë se kjo ishte kundër një vendimi të fundit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, i cili vendosi se një vend jashtë bllokut evropian nuk mund të shpallet i sigurt, nëse nuk e ka të tërë territorin e tij pa rreziqe.

Agjencia italiane e lajmeve Ansa njoftoi se pas vendimit të gjykatës së Romës emigrantët do të largohen nga qendra e ndalimit dhe do të transferohen në Itali dhe do të mbërrijnë në portin jugor të Brindizit.

“Një tjetër vendim politik jo kundër qeverisë, por kundër italianëve dhe sigurisë së tyre”, tha Matteo Salvini, zëvendëskryeministër dhe udhëheqës i partisë anti-emigracion ‘Lega’.

Çështja ka nxitur një përplasje të ashpër mes qeverisë dhe gjyqtarëve javët e fundit. Ministri i drejtësisë akuzoi gjykatën për dështim të zbatimit të ligjit të BE-së, ndërsa gjyqtarët thanë se ata thjesht po zbatonin ligjin.

Kabineti qeveritar muajin e kaluar përditësoi statusin ligjor të listës së vendeve të sigurta, duke e ngritur rëndësinë e saj, nga një dekret ministror në një akt ligjor. Qeveria besonte se kjo do ta bënte më të vështirë për gjykatat të kundërshtonin vlefshmërinë e vendimit.

(Zëri i Amerikës)