Teheran, 3 mars 2026 – Organizata humanitare iraniane, Gjysmëhëna e Kuqe, tha më 3 mars se më se 787 persona janë vrarë gjatë sulmeve amerikane e izraelite ndaj Iranit. Ajo tha se më se 153 qarqe në gjithë Iranin janë prekur nga sulmet.
Kjo organizatë që vepron nën mbikëqyrjen e Qeverisë së Republikës Islamike, i publikoi shifrat e viktimave pa ndonjë analizë më të detajuar.
Zyrtarët e Republikës Islamike thanë se 165 nxënëse janë vrarë në një shkollë vajzash në Minab, ditën e parë të sulmiit amerikano-izraelit, por mediat shtetërore iraniane e publikuan një listë me emrat e vetëm 57 të vrarëve në këtë shkollë.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli vunë në dyshim raportimet nga Irani. Ato thanë se nuk janë në dijeni të ndonjë sulmi ndaj ndonjë shkolle.
Megjithatë, autoritetet iraniane ia atribuojnë incidentin të dyja vendeve dhe thonë se do ta ndjekin këtë çështje në forume ligjore ndërkombëtare.
Mediet iraniane raportojnë për vazhdim të sulmeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndaj objekteve strategjike në Iran. Ndërkaq në rrjetet sociale janë publikuar edhe videoregjistrime që dëshmojnë shkatërrimet masive të sulmeve raketore në Teheran.
Por, zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë se objektivat ushtarake kanë qenë në shënjestër të sulmeve. Komanda Qendrore e SHBA-së, Ventcom, tha se janë shkatërruar qendrat e komandës së Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), sistemet e mbrojtjes ajrore të Iranit, si edhe vendet për lëshimin e raketave dhe dronëve.
“Forcat amerikane, në operacionet e vazhdueshme, kanë shkatërruar objektet e komandës dhe kontrollit të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, aftësitë e mbrojtjes ajrore të Iranit, vendet e lëshimit të raketave dhe dronëve, si dhe aeroportet ushtarake”, shkroi Centcom, në një postim në X.
(r.m.)