Goditet skema mashtruese me call-center që ua zhvati 4.7 milionë euro qytetarëve italianë

Tiranë, 27 korrik 2023 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi të enjten, më 27 korrik, se së bashku me prokurorinë e Pordenones në Itali kishte goditur një skemë tjetër mashtruese me call- center, e cila akuzohet se u ka zhvatur 4.7 milionë euro qytetarëve italianë.

Hetimet kanë nisur mbi bazën e një denoncimi të kryer në Policinë Postare në Pordenone të Italisë, ku nga verifikimet është zbuluar një skemë mashtrimi komplekse.

“Viktimat kontaktoheshin nëpërmjet telefonit dhe bindeshin nga mashtruesit për të investuar fillimisht shifra shumë të vogla, të cilat në dukje çonin në fitime stratosferike. Disa viktima në fakt, shihnin se si trefishohej investimi i tyre në pak ditë, duke i parë fitimet nëpërmjet platformave të falsifikuara dhe të konfiguruara enkas për to nga organizata kriminale me qëllimin për ta bërë sa më të besueshëm fitimin,” thuhet në njoftimin e SPAK.

Në kuadër të këtij hetimi është bërë e mundur të caktohen 14 masa sigurie “arrest në burg” dhe “arrest shtëpie” ndaj shtetasve shqiptarë, pjesëtarë të këtij grupi të strukturuar kriminal.

Prokurori i çështjes, Ened Nakuçi shpjegoi gjatë një konference për mediat se, nga përgjimet ka rezultuar se mashtruesit ishin mjaft të aftë në përdorimin e teknikave reale bindëse, aq sa kishin arritur të bindnin qytetarët e pafajshëm të investonin gjatë kësaj kohe qindra mijëra euro në llogari rrjedhëse jashtë shtetit. Sipas tij, në çdo transferim në hyrje rezultonte dhënia e një sasie BitCoin në favor të një ‘Portofoli’ të panjohur, duke humbur në këtë mënyrë gjurmët e parave.

Nga hetimet ka rezultuar se grupi i strukturuar kriminal kishte ngritur një call center të vërtetë, me role të ndryshme në brendësinë të tij – ku kishte operatorë të cilët merreshin me kontaktet e para me klientët duke verifikuar mundësinë e tyre për investim si dhe kishte konsulentë të cilët i ndiqnin hap pas hapi viktimat drejt investimeve me më shumë përfitim për ta.

Sipas SPAK, grupi funksiononte sipas skemave shumë të sakta, ku operatorët e call center, të cilët merrnin një pagë mujore, përfitonin bonus sa herë që përmbyllnin një investim, të ndarë sipas grupeve. Në krye të secilit grup ishte një drejtues i cili përveç se merrte një përqindje për investimet e realizuara, merrte edhe një bonus për mashtrimet e kryera nga operatorët e grupit të tij. Çdo drejtues nga ana tjetër i përgjigjej një administratori i quajtur supervizor, i cili përveç se merrte pagesën mujore më të lartë, merrte dhe përfitime të rëndësishme nga mashtrimet e realizuara nga të gjithë pjestarët e grupit kriminal. Përveç kësaj, ishin parashikuar edhe sanksione dhe dënime për ata që nuk do të arrinin të përmbyllnin kontratat.

“Bëhet fjalë për një sistem që i bënte operatorët ‘të mos kishin besim’ tek njëri-tjetri dhe të ishin në garë se kush ishte më i zoti për të përmbyllur kontrata dhe për të sjellë fitime; e gjitha kjo në dëm të qytetarëve të pafajshëm, viktima të kësaj gare absurd”, u shpreh Nakuçi.

Ai shtoi se nga hetimet janë identifikuar dhe përcaktuar teknikët përgjegjës të grupit të cilët administronin jo vetëm të gjithë infrastrukturën informatike të call center-it të ngritur, por dhe kujdeseshin për të fshehur dhe penguar hetimet ndaj tyre dhe identifikimit të call center-it në fjalë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në 12 banesa janë sekuestruar pajisje të ndryshme kompjuterike, si telefona, laptopë, USB dhe pajisje për prodhimin e Bitcoin.

Në gjurimimin e destinacionit të parave janë përfshirë disa shtete anëtare të Bashkimit Europian ndër to Qipro, Lituania, Estonia, Hollanda dhe Gjermania. Sipas Nakuçit, më së shumti paratë i kanë humbur gjurmët në në llogari të huaja të kriptovalutës në Letoni dhe Lituani.

Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi se kompanitë e call center-ave të lidhura me një ish-zyrtar të lartë politik shqiptar, u bën ështylla operative e një rrjeti kriminal ndërkombëtar, i cili mashtroi gjatë pesë viteve qindramijëra viktima në të gjithë Evropën, duke u zhvatur miliarda euro.

SPAK u bënë thirrje punonjësve në këto call center-a që të ndërgjegjësohen dhe të mos bëhen pjesë e veprimtarive të paligjshme, por të punojnë ndërshmërisht në ato kompani të cilat nuk kanë aktivitet mashtrimin on line.

(Reporter.al)