Grabitje spektakolare në muzeun e Luvrit, vidhen bizhuteri të koleksionit të Napoleon Bonapartit

Paris, 19 tetor 2025 – Një grabitje e madhe është është kryer të dielën në mëngjes në Muzeun e Luvrit në Paris.

Lajmi që e tronditi opinionin publik francez dhe ndërkombëtar u konfirmua nga ministrja franceze e Kulturës, Rachida Dati, e cila ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.

“Një grabitje ndodhi sot në mëngjes, në hapje të muzeut të Luvrit. Nuk raportohet për persona të lënduar. Jam në vendngjarje së bashku me stafin e muzeut dhe policinë. Hetimet janë në vijim,”, njoftoi ministrja në rrjetet sociale.

Sipas të përditshmes Le Parisien, tre autorë të maskuar kanë hyrë në muze nga ana e lumit Sena, ku aktualisht po kryhen punime ndërtimi. Ata e kanë shfrytëzuar një ashensor teknik për të arritur direkt në galerinë që e kishin shënjestruar, ku ekspozohen objekte të çmuara të trashëgimisë perandorake franceze.

Pasi e kanë thyer xhamin e sigurisë, dy prej autorëve kanë hyrë brenda, ndërsa i treti ka qëndruar jashtë për të ruajtur. Ata i kanë vjedhur nëntë objekte nga koleksioni i bizhuterive të Napoleonit dhe Perandoreshës, përfshirë një gjerdan, një karficë dhe një kurorë.

Burime brenda muzeut konfirmojnë se diamanti legjendar “Régent”, më i madhi i koleksionit me peshë mbi 140 karatë, nuk është prekur nga grabitja.

Vlera e dëmit nuk është bërë ende e ditur, ndërsa policia franceze është në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Muzeu i Luvrit është aktualisht i mbyllur për vizitorët.

Vitin e kaluar, Luvri, muzeu më i vizituar në botë, ka regjistruar rreth 9 milionë vizitorë, 80% prej të cilëve ishin turistë të huaj.

(Panorama)