Granit Xhaka, njëri ndër mesfushorët më të vlerësuar të kampionatit anglez që sapo përfundoi, me shumë gjasë do të transferohet këtë verë te klubi i madh londinez Chelsea.
Gazetari i “Sky”, Florian Plettenberg, duke iu referuar gazetës “Blick” dhe disa medieve angleze, shkroi në platformën X se Xhaka dhe Chelsea tashmë janë marrë vesh për kushtet dhe se Chelsea është tashmë ka vënë kontakte me Sunderlandin, klubin aktual të Xhakës.
Plettenberg shkruan se për nënshkrimin e Xhakës po përpiqet fort trajneri i ri i Chelseat, Xabi Alonso.
“Granit Xhaka dhe Chelsea kanë arritur tashmë marrëveshje verbale të plotë për transferim. Për kushtet personale është arritur pajtim plotësisht. Chelsea tashmë është në kontakt me Sunderlandin. Xabi Alonso po përpiqet fort për nënshkrimin e Xhakës, sipas Blick dhe mediave të ndryshme angleze”, ka shkruar Plettenberg.
Sipas raportimeve, Chelsea ia ka dërguar Sunderlandit ofertën e parë – rreth 30 milionë euro. Nëse këto raportime janë të sakta, Xhaka do të bëhet transferimi i dytë më i shtrenjtë i lojtarëve 32-vjeçarë e sipër. Rekordin aktual e mban Cristiano Ronaldos, për të cilin Juventusi i kishte paguar 117 milionë euro.
Trajneri i Chelseat, Xabi Alonso, e njeh shumë mirë dhe i vlerëson lart cilësitë e Granit Xhakës. Ata kanë punuar së bashku te klubi gjerman Bayer Leverkusen, ku arritën suksese historike, në kampionatin e vitit të kaluar, kur fituan titullin e kampionit të Gjermanisë, Kupën e Gjermanisë dhe arritën deri në finale të UEFA Konference Ligës.
Verën e kaluar, Xhaka u transferua nga Bayer Leverkusen te Sunderland për 20 milionë euro. Ai ishte figurë kyçe e Sunderlandit dhe njëri nga lojtarët më të mirë të Ligës Premier gjatë sezonit të kaluar. Nën udhëheqjen e tij, Sunderlandi i tejkaloi edhe parashikimet më optimiste, duke u plasuar në vendin e shtatë në ligë dhe duke siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Evropës për sezonin 2026/27.
Cilësitë e Granit Xhakës po shihen edhe në Kamionatin Botëror të Futbollit që po zhvillohet në SHBA, Meksikë e Kanada. Ai e udhëhoqi kombëtaren e Zvicrës drejt fazës finale të kampionatit.
Në tri xhirot e para të kampionatit, ai u vlerësua si mesfushori më i suksesshëm, para emrave të mëdhenj të furbollit botëror sot për sot.
(r.m.)