Green card për një kategori të veçantë emigrantësh të mitur

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Kategoria e veçantë për emigrantë të mitur (Special Immigrant Juvenile – SIJ) u lejon disa fëmijëve që nuk janë nënshtetas amerikanë të paraqesin kërkesë për t’u bërë banorë të ligjshëm të përhershëm në SHBA, pra për të marrë green card. Bëhet fjalë për fëmijë që kanë kaluar nëpër proçese gjyqësore për shkak se janë braktisur, lënë pas dore apo abuzuar nga prindërit e tyre, ose për shkaqe të tjera ligjore si këto. Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS) do të vendosë nëse një i mitur i përmbush ose jo kriteret për t’u klasifikuar si SIJ, pasi të gjykojë peticionin I-360, Petition for Amerasian, Widow(er), or Special Immigrant. Në gjykimin e peticionit në fjalë përfshihen shqyrtimi i këtij peticioni, shqyrtimi i vendimit/eve të lëshuar/a nga gjykatat për të mitur si dhe të gjitha dokumentat e paraqitura në mbështetje të peticionit, në mënyrë që të merret një vendim nëse peticioneri kualifikohet ose jo si SIJ. Si rregull, USCIS-i, kur bëhet fjalë për ligjet shtetërore, i merr të mirëqena vendimet e lëshuara nga gjykata dhe nuk i “ripeshon” dokumentat provë me të cilat është marrë më parë gjykata për çështjet e të miturve, si dhe nuk vendos vetë, në mënyrë të pavarur, se çfarë është më mirë për të miturin apo lidhur me abuzimin, lënien pas dore, braktisjen apo shkaqet e tjera ligjore si këto.

Kriteret që duhet të përmbushë një i mitur për t’u kualifikuar si SIJ:

  • Të ketë qenë fizikisht i/e pranishëm/me në Shtetet e Bashkuara në kohën e paraqitjes dhe gjykimit të Peticionit I-360, Petition for Amerasian, Widow(er), or Special Immigrant.
  • Të ketë qenë i/e pamartuar në kohën e paraqitjes dhe gjykimit të Peticionit I-360.
  • Të ketë qënë nën moshën 21 vjeç në kohën e paraqitjes të Peticionit I-360.
  • T’i jetë nënshtruar vendimeve të gjykatës për të mitur, të lëshuara në Shtetet e Bashkuara, që i përmbush kërkesat.
  • Të ketë marrë leje nga Departamenti i Sigurisë kombëtare të SHBA-së (DHS).
  • Të ketë marrë leje nga Departamenti Amerikan i Shërbimit Shëndetësor dhe atij Njerëzor (HHS), në rastet kur diçka e tillë gjen zbatim.

Në përgjithësi, një i mitur mund të kërkojë të klasifikohet si SIJ nëse ai ose ajo është nën 21 vjeç dhe i/e pamartuar në kohën kur peticioni iu paraqit USCIS-it. Megjithatë, sipas ligjeve të shtetit kryhet një kontroll për të parë nëse peticioneri konsiderohet “fëmijë” ose ndonjë term tjetër ekuivalent për subjektin e mitur nën juridiksionin e një gjykate shtetërore për të mitur për procedurat gjyqësore lidhur me varësinë ose kujdestarinë. Nëse peticioneri ishte nën moshën 21 vjeç në ditën e depozitimit sipas ligjit të Formularit I-360, si dhe përmbusheshin të gjitha kriteret e tjera të parashikuara nga statuti për klasifikim, USCIS-i nuk mund të hedhë poshtë kërkesën për klasifikim si SIJ të peticionerit, vetëm për shkak se ky i fundit, në momentin e gjykimit të peticionit, e ka kaluar moshën 21 vjec.

Për arsye që lidhen me klasifikimin si SIJ, me gjykatë për të mitur nënkuptohet ajo gjykatë amerikane që sipas ligjeve të shtetit, ka fuqinë ligjore për të marrë vendime gjyqësore mbi varësinë dhe/ose kujdestarinë dhe kujdesin për të miturit. Kjo do të thotë se gjykata duhet të ketë autoritetin përkatës për të marrë vendime në lidhje me varësinë dhe/ose kujdestarinë dhe kujdesin e peticionerit, si të mitur, siç parashikojnë ligjet shtetërore në kohën kur është lëshuar urdhri. Në varësi të rrethanave, si rregull, cilësimi si “i mitur” pritet të mbetet në fuqi derisa i mituri të arrijë moshën madhore, ose derisa të jetë arritur qëllimi i përmbushjes së një plani që siguron njëherë e mirë mirëqënien e fëmijës, siç është birësimi, ose ndonjë masë tjetër mbrojtëse në ndihmë të të miturit e urdhëruar me vendim të gjykatës. Titulli dhe lloji i gjykatës që mund të kënaqë përkufizimin e gjykatës për të mitur ndryshon nga njëri shtet në tjetrin. Shembuj të gjykatave shtetërore që mund të kënaqin këtë përkufizim përfshijnë: gjykatat e të miturve, të familjes, varësisë, jetimëve, kujdestarisë, mbajtjes nën mbikqyrje dhe gjykatat e të rinjve që shkelin ligjin. Jo të gjitha gjykatat që sipas ligjit gëzojnë autoritet për të marrë vendim për të miturit mund të veprojnë si gjykata për të mitur që merren me çështjen e klasifikimit si SIJ.

Për t’u kualifikuar si SIJ, peticioneri duhet të paraqesë një urdhër ose urdhra të gjykatës për të mitur që përmban/jnë vendimet e mëposhtme dhe procesverbali duhet të garantojë se secili nga vendimet bazohet në prova të arsyeshme faktike:

Varësi ose kujdestari – Deklaron të miturin në varësi të gjykatës, ose e vendos ligjërisht nën kujdestarinë e një agjencie ose departamenti shtetëror, ose të një personi ose subjekti të caktuar nga një gjykatë shtetërore ose për të mitur.

Ribashkimi me prindërit – Deklaron, sipas ligjit shtetëror, se i mituri nuk mund të ribashkohet me njërin ose të dy prindërit e tij/saj për shkak të abuzimit, neglizhencës, braktisjes ose shkaku tjetër të ngjashëm ligjor; dhe

Çfarë është në interesin e të miturit – Vendos se nuk do të ishte në të mirën e të miturit që të kthehet në vendin e kombësisë së tij/saj ose vendbanimin e fundit të të miturit ose të prindërve të tij/saj. Përcaktimi se çfarë është më mirë për të miturin mund të bëhet nga gjykata për të mitur ose duke ndjekur një procedurë administrative të autorizuar ose të njohur nga gjykata për të mitur.

Ndryshe nga disa peticione të tjera për viza emigruese, klasifikimi SIJ nuk u lejon anëtarëve të familjes së peticionerit të përfshihen në peticion dhe të përfitojnë status emigracioni në mënyrë indirekte. Peticionerët SIJ që kanë marrë statusin e banorit të përhershëm të ligjshëm (pra kanë marrë green card-ë) mund të bëjnë kërkesë për bashkim familjar me anëtarë të familjes përmes procesit përkatës të emigrimit me bazë bashkimin familjar. Megjithatë, një i mitur që merr statusin si rezultat i të qenit SIJ nuk mund t’u japë prindërve të tij/saj ose birësuesve natyrorë të mëparshëm benefite emigracioni, madje edhe pas natyralizimit. Ky përjashtim gjen zbatim për prindin kujdestar kur gjykata për të mitur ka konstatuar se nuk është i mundur ribashkimi me prindin tjetër.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]