Greqia druan nga ndonjë dyndje e migrantëve afganë

Athinë / Kabul, 17 gusht 2021 – Greqia nuk dëshiron të bëhet portë hyrëse në Bashkimin Evropian për afganët që ikin nga Afganistani për shkak të përshkallëzimit të situatës në atdheun e tyre, tha të martën ministri grek i Migracionit, Notis Mitarachi.

“Ne po themi qartë se ne nuk do të jemi dhe nuk mund të jemi porta e Evropës për refugjatët dhe migrantët”, tha Mitarachi për televizionin shtetëror ERT.

Ai bëri thirrje për një përgjigje të përbashkët të Bashkimit Evropian ndaj krizës.

Në vitin 2015 gati një milion njerëz që ikën nga konflikti në Siri, Irak dhe Afganistan zbarkuan në ishujt e Greqisë dhe në vendet tjera të BE-së. Prandaj, Greqia tani druan se një skenar i tillë mund të përsëritet.

Ministrat e jashtëm të BE-së do të mbajnë një takim urgjent të martën, për të diskutuar për situatën e krijuar në Afganistan që tani kontrollohet nga talibanët.

Greqia ka kërkuar që në këtë takim të diskutohet edhe çështja e migrantëve.

Mijëra afganë u dyndën të hënën në Aeoportin e Kabulit në përpjekje që të largohen nga vendi. Shumë prej tyre u përpoqën tëfuten me dhunë në aeroplanët e stërmbushur, madhe edhe duke hipur mbi aeroplanë që po përgatiteshin për fluturim.

Trupat amerikane që po e kontrollojnë aeroportin u detyruan të qëllojnë për të shpërndarë turmën dhe për të mundësuar fluturimet.

Të martën, sipas raportimeve, në aeroport mbretëson një situatë me e qetë dhe fluturimet e aeroplanëve që po evakuojnë personelin e huaj dhe civilët kanë vazhduar.

(r.m.)