Greqia e kërcënon Shqipërinë me bllokimin e anëtarësimit në BE, për shkak të Fredi Belerit

Athinë, 30 nëntor 2023 – Athina e kërcënoi Tiranën se do ta bllokojë rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, nëse Shqipëria nuk lejon që kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, i cili gjendet në paraburgim, të marrë detyrën, raporton Reporter.al.  

Të mërkurën, në një takim të Këshillit të Përfaqësuesve të Përhershëm të BE-së, COREPER, Greqia paralajmëroi se është gati të bllokojë bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, nëse ajo “nuk respekton të drejtat” e kryebashkiakut etnik grek të Himarës, Fredi Beleri.

Në deklaratën me shkrim, të cilën e ka parë BIRN, thuhet se Greqia “pret që Shqipëria të marrë masa konkrete dhe të menjëhershme për marrjen e detyrës nga Beleri dhe të respektojë të drejtën e tij për një gjykim të drejtë dhe prezumim të pafajësisë”.

“Përndryshe, ajo nuk do të jetë në gjendje të pajtohet me fazat e ardhshme në procesin e anëtarësimit, duke përfshirë miratimin e Raportit të Vlerësimit të Standardeve të Pazgjidhura”, thuhet në deklaratë.

Beleri (Beleris në greqisht) u arrestua nga autoritetet shqiptare dy ditë përpara zgjedhjeve lokale të 14 majit me akuzën e blerjes së votave. Që atëherë ai ka qenë pas hekurave dhe i është mohuar e drejta për të marrë detyrën e kryebashkiakut në Himarë, pavarësisht se është zgjedhur si i tillë.

Mbështetësit e tij thonë se ai është një dëm kolateral në luftën midis autoriteteve dhe pakicës greke për tokën shumë të lakmuar në zonën e Himarës.

Por, prokurorët thonë se çështjet pronësore nuk kanë asnjë lidhje me çështjen ndaj Belerit.

Pjesëtarë të pakicës greke në Shqipëri kanë thënë për BIRN se po detyrohen që tokat e tyre t’ua shesin me çmime të ulëta investitorëve strategjikë, si pjesë e një programi për të zhvilluar potencialin turistik në zonë.

Autoritetet shqiptare hedhin poshtë pretendimet e grekëve se po diskriminohen. Ato thonë se ligji po zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë, ndonëse me vonesa dhe me problem të natyrave nga më të nduyshet.

Nën sundimin komunist, të gjithë pronat në Shqipëri ishin nacionalizuar nga shteti. Pas rënies së komunizmit, të gjithë ish-pronarët përpiqen të rikthejnë pronësinë e pronave të tyre.

Shqipëria thotë se kjo është çështje shumë komplekse.

(r.m)