Tiranë, 20 gusht 2021 – Autoritetet greke kanë përforcuar masat në kufirin greko-turk për mundësinë e një vale të re refugjatësh nga Afganistani. Mediat kryesore greke vlerësojnë se pas ngjarjeve të fundit dhe krizës humanitare që po ndodh në Afganistan, ekziston frika nga një valë e madhe refugjatësh drejt kufijve turq dhe grekë dhe më tej europianë, situatë e ngjashme me atë të vitit 2015, kur ishte kriza e Sirisë.
Sipas burimeve zyrtare greke regjimi i kufirit është forcuar me trupa dhe mjete në zonë e Evros.
Patrullat dhe forcat e armatosura janë shtuar, ndërsa policia dhe shërbimet e tjera janë në gatishmëri të lartë, kanë vlerësuar Ministrat grekë të Mbrojtjes, dhe Mbrojtjes Civile, që shkuan të premten në Evros.
Masat e shtuara greke ndaj emigracionit të paligjshëm kanë sjellë ditët e fundit një rënie të lehtë të prurjes së të huajve të parregullt drejt territorit shqiptar.
Në periudhat e zakonshme 1000-1500 të huaj të parregullt në muaj depërtojnë në territorin shqiptar nga kufiri grek. Të huajt pa dokumente vijnë në kufirin shqiptar kryesisht nga zonat e kufirit greko turk apo kampet e ishujve grekë ku gjendja e refugjatëve është e vështirë.
Ata depërtojnë nga kufiri tokësor grek drejt Shqipërisë, kryesisht në zonën e Korçës dhe e përdorin Shqipërinë si një pikë tranzit për të kaluar drejt vendeve europiane përmes Malit të Zi.
Shqipëria nisur edhe nga pandemia ka kufizuar ndjeshëm kërkesat për azil. Pjesa më e madhe e shtetasve të futur në mënyrë të parregullt në territorin shqiptar ka qenë kohët e fundit nga Bangladeshi dhe Pakistani pasi në fillim të vitit 2021 ministria greke e Migracionit renditi këto dy vende të sigurta duke mos lejuar më aplikimet për azil në Greqi.
Ndërkohë mes refugjatëve të futur në Shqipëri nga kufiri grek ka pasur edhe nga Afganistani por në një numër relativisht të ulët.
Në dy rajonet kufitare shqiptare me Greqinë, atë të Korçës dhe Gjirokastrës, prej tre vitesh krahas shërbimeve shqiptare mbështesin në kufi edhe oficerë të Forcës Europaine të Kufijve FRONTEX.
Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare, FRONTEX, tha javën e shkuar se17,300 persona hynë ilegalisht në vendet evropiane gjatë korrikut 2021, duke shënuar një rritje prej 33 përqind në përpjekjet e paligjshme të kalimit të kufirit në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin 2020 dhe rreth 2,700 më shumë në krahasim me qershorin e këtij viti.
Numri i kalimeve ilegale të kufirit nga janari deri në qershor 2021 është rritur me 59 për qind me mbi 82,000 raste, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Siaps raprotit të FRONTEX, rruga e Ballkanit Perëndimor ku përfshihet dhe Shqipëria si pikë tranziti kishte 3,600 të huaj të parregullt të ndaluar në korrik, 67 për qind më shumë se në korrik 2020. Sipas raportit numri i përgjithshëm i kalimeve ilegale të kufirit këtë vit u rrit me 90 për qind dhe arriti në 22,600 në të ashtuquajturën “rruga ballkanike” e refugjatëve. Shumica e emigrantëve janë regjistruar nga Siria, Afganistani dhe Maroku sipas FRONTEX.
Siaps raportit rastet e kalimit ilegal të kufirit të Greqisë ranë lehtë gjatë korrikut, me 1065 persona ndërsa për shtatë muajt e parë të këtij viti, shifra totale ra me 33 për qind dhe arriti në 9000 krahasuar me 13370 në vitin 2020. Migrantët nga Siria dhe Turqia përbënin numrin më të madh të personave të bllokuar në Greqi.
(Raimod Kola, Zëri i Amerikës)