Griep: Janë thirrur 11 dëshmitarët e parë të procesit “Thaçi e të tjerët”

Hagë, 5 prill 2023 – Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Angela Griep, tha se procesi gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të fillojë më 11 prill me fjalën e prokurorisë.
“Procesi në rastin ‘Thaçi e të tjerët’, fillon me 11 prill dhe fjalën do ta ketë prokuroria”, tha Griep për RTK-në.
E pyetur lidhur kohëzgjatjen e masës së paraburgimit të të pandehurve, ajo tha se gjyqtarët kanë konkluduar se mbajtja në paraburgim e tyre është brenda afatit të pranueshëm.
“Edhe pse varet për secilin rast specifik, por rasti ‘Thaçi e të tjerët’ është kompleks, pasi kemi krime të shumta të supozuara, shumë pika të aktakuzës, dhe për këtë gjyqtarët kanë thënë se koha e mbajtjes në paraburgim është ende e arsyeshme”, tha ajo.
Zonja Griep Tha se gjyqtari I ka inkurajuar mbrojtjen dhe prokurorinë që t’i organizojnë argumentet e tyre në atë mënyrë që të jenë sa më efikase e ekspeditive që është e mundur.
Sa u përket dëshmitarëve, Griep tha se mund të aplikohen masa mbrojtëse ndaj tyre për ëka vendosin gjyqtarët, por vetëm nëse është e nevojshme për sigurinë e tyre dhe të familjarëve të tyre.
“Bazuar në nivelin e mbrojtjes që gjyqtarët i japin secilit dëshmitar, mund të ketë të tillë që kjo masë u hiqet për mbrojtjen vetëm 30 ditë para dhënies së dëshmisë’, tha Griep.
“Kur të dalin në seancë, secilin dëshmitar fillimisht e merr në pyetje prokuroria e pastaj mbrojtja, kurse më pas merret në pyetje të tërthortë”, tha Griep.
Ajo shpjegoi edhe çështjen e identitetit të dëshmitarëve.
“Ka rregull të caktuar për mbrojtjen e identitetit të tyre, por ka ende dëshmitarë që nuk mund t’i tregohen mbrojtjes”,tha ajo.
Griep tha se ajo nuk mund të japë hollësi për numrin e dëshmitarëve të mbrojtur.
“Por, kur ka dëshmitarë të tillë, identiteti i tyre mund t’u zbulohet mbrojtjes, por fare pak kohë para fillimit të marrjes në pyetje”, u shpreh ajo.
Griep tregoi se 11 dëshmitarët e parë tashmë janë thirrur nga gjykata për të dhënë dëshmitë e tyre. Ajo tha se lista e dëshmitarëve është konfidenciale.
“Lista e dëshmitarëve u është ndarë palëve, por ende nuk e dimë përmbajtjen e saj, sepse ende janë konfidenciale”, tha ajo.
E pyetur për arsyen e transmetimit publik të seancës me 45 minuta vonesë, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara tha se kjo ndodh për mbrojtjen e informacioneve konfidenciale, pasi mund të ndodhë që ndonjëra palë gabimisht në proces të zbulojë ndonjë informacion konfidencial gjatë procedurës.
“Gjyqtarët ia kujtojnë galerisë që këto informacione nuk mund të zbulohen, kështuqë ato hiqen nga transmetimi para se të dalin në publik”, tha ajo.
“Nëse dikush qëllimisht zbulon ose përpiqet të shpërndajë informata konfidenciale me qëllim për të penguar procesin ose frikësuar dëshmitarët, kjo është vepër penale”, shtoi ajo, duke rikujtuar se ish-drejtuesit e organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, janë dënuar pikërisht për shpërndarje të informatave konfidenciale.
Griep tha se për media nuk ka rregulla të veçanta, vetëmse ato duhet ta respektojnë ligjin. Ajo i cilësoi “shumë të kujdesshme dhe shumë të përmbajtura” mediet e kosovës që raportuan për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Kam kënaqësinë të them se mediat në Kosovë kanë qenë shumë të kujdesshme dhe shumë të përmbajtura dhe nuk kam parë ndonjë përpjekje për thyerje të qëllimshme të këtij rregulli”, u shpreh zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
(r.m.)