Prishtinë, 31 korrik 2022 – Grupe serbësh në veri të Kosovës e kanë bllokuar me kamionë qarkullimin në rrugën magjistrale në afërsi të vendkalimit kufitar me serbinë, në Jarinjë.
Besim Hoti nga Policia e Kosovës ka konfirmuar se është vendosur një bllokadë edhe në Rudarë të Zveçanit, përkatësisht në rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë. Fshati Rudarë gjendet pesë kilometra nga Mitrovica.
Hoti njoftoi se një bllokadë është vendosur edhe në fshatin Zupqë, në afërsi të magjistrales Bërnjak -Mitrovicë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka mbyllur qarkullimin e udhëtarëve dhe të automjeteve nëpër vendkalimet kufitare me Serbinë në Jarinjë dhe Bërnjak, për shkak të bllokadave në afërsi të këtyre vendkalimeve. Policia i ka njoftuar qytetarët se mund të përdorin rrugët alternative.
Në Mitrovicë të Veriut dëgjohen vazhdimisht sirenat, të cilat aktivizohen kur ka ndonjë organizim të serbëve ose ndonjë paralajmërim për serbët. Hoti ka konfirmuar se në qytet janë dëgjuar sirena, por nuk dihet se çfarë është paralajmëruar me to.
Raportohet se një bllokadë është vendosur edhe në Lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicë të Veriut, e cila është e banuar me popullsi të përzier.
Serbët vendosën bllokada një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe me dokumentet serbe. Kështu ata kundërshtojnë zbatimin e këtyre dy vendimeve, me pretendimin se atyre u cenohet e drejta e tyre për t’u identifikuar me shtetin e Serbisë, pjesë të të cilit e konsiderojnë Kosovën.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të hënën, më 1 gusht, do të nisë lëshimi i dokumenteve të përkohshme për hyrje-dalje dhe qëndrim në Kosovë të shtetasve të Serbisë. Ky document, i cili do të lëshohet në të gjitha vendkalimet kufitare të kosovës, tokësore dhe ajrore, do të jetë i vlefshëm 90 ditë. Ai është i njëjti dokument që autoritetet serbe ua lëshojnë shtetasve të Kosovës, kur hyjnë në territorin e Serbisë, qysh prej vitit 2011.
Me këtë dokument do të pajisen edhe personat nën 16 vjeç që nuk kanë dokument personal identifikimi, por që duhet të kenë certifikatë të lindjes.
“Ne nuk do t’ua marrim dokumentet njerëzve që vijnë nga Serbia në Kosovë. Ne do t’ua shtojmë një fletë-deklarim. Pra, ata vijnë me dokumente e lëshuara nga Serbia, ne nuk ua marrim ato, por ua lëshojmë një fletë-deklarim, sepse ka 11 vjet që Serbia vepron njësojë me çdo qytetar të Republikës sonë kur e kalon kufirin dhe shkon në Serbi”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën.
Të hënën pritet të hyjë në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave ma targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Sipas vendimit të marrë më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës, afati për riregjistrimin e makinave do të zgjasë deri më 30 shtator.
(r.m.)