Grupet e serbëve në veri lëndojnë 5 policë dhe djegin 4 automjete policore

Prishtinë, 26 maj 2023 – Policia e Kosovë njoftoi se 5 zyrtarë policorë janë lënduar dhe 4 automjete të policisë janë djegur nga grupet e serbëve në Zveçan.

Policia e Kosovës është angazhuar për të mundësuar kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut të hyjnë në objekteet e komunave dhe të fillojnë të ushtrojnë funksionet e tyre, por disa grupe qytetarësh serbë janë përpjekur të pengojnë hyrjen e kryetarëve të rinj në ndërtesat e komunave.

Policia thotë se njësitë relevante policore janë përpjekur të krijojnë kushte që kryetarët e rinj të hyjnë në ndrtesat e komunave, por ato janë sulmuar nga serbët e mbledhur para ndërtesës së komunës së Zveçanit.

“Protestuesit në Zveçan pas një kohe kanë filluar të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë (5) zyrtarëve policorë të  cilët  më pas u janë kthyer detyrave policore. Po ashtu janë shkaktuar dëme materiale ndaj katër (4) automjeteve zyrtare, njërës prej tyre ia kanë vënë zjarrin. Dyshohet se në afërsi janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por që ende nuk dihet lokacioni i saktë”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Policia thotë se veprimet e saj i ka kryer në koordinim me organet e drejtësisë, të cilat e kanë cilësuar rastin si “Sulm Kundër Rendit Kushtetues”.

Komunikata e plotë:

Me qëllim të pengimit të hyrjes së kryetarëve të komunave në vendet e tyre të punës, pranë hyrjeve të objekteve komunale të tri komunave janë tubuar një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, për të mos lejuar hyrjen e tyre dhe stafit përcjellës në objektet zyrtare të komunave.

Përveç personave të angazhuar dhe automjeteve/mjeteve të tyre të vendosura në afërsi dhe pranë objekteve komunale, në komunat veriore janë lëshuar edhe alarmet të cilat përdoren nga strukturat kriminale për mobilizim dhe tubime.

Policia e Kosovës ka angazhuar njësitet relevante policore, me qëllim të menaxhimit të situatës dhe rrethanave të krijuara nga ana e qytetarëve të tubuar, të cilët pengonin organet e rendit dhe zyrtarët shtetëror në ushtrimin e së drejtës së tyre legjitime.

Zyrtarët e rendit publik vazhdimisht kanë biseduar me qytetarët e tubuar, duke kërkuar që të njëjtit të largohen dhe të mos pengohet puna e zyrtarëve shtetërorë, të lirohet rruga dhe të lejohet hyrja e tyre në vendet e punës, mirëpo të njëjtit kanë refuzuar në vazhdimësi.

Protestuesit në Zveçan pas një kohe kanë filluar të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë (5) zyrtarëve policorë të  cilët  më pas u janë kthyer detyrave policore.

Po ashtu janë shkaktuar dëme materiale ndaj katër (4) automjeteve zyrtare, njërës prej tyre ia kanë vënë zjarrin. Dyshohet se në afërsi janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por që ende nuk dihet lokacioni i saktë.

Duke parë rrezikun e drejtpërdrejtë të jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje janë detyruar të reagojnë dhe të përdorin mjetet e ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale.

Lidhur me veprimet e deritanishme Policia ka bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet me organet e drejtësisë, të cilët rastin e kanë cilësuar si “Sulm Kundër Rendit Kushtetues”.

Policia e Kosovës do të vazhdojë të mbajë një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim, si dhe do të ndërmarrë masa ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme, që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin në vend.

(r.m.)