Uashington, 23 maj 2025 – Mike Waltz, këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, është shkarkuar për shkak të përdorimit të një kopjeje të siguruar dobët të aplikacionit Signal për komunikime zyrtare, por administrata e Presidentit Trump po i vuan pasojat e skandalit të tij.
Reuters raportoi se një haker arriti të ketë qasje në të dhënat e punonjësve të administrates përmes aplikacioni izraelit TeleMessage, i cili iu shit qeverisë amerikane për të arkivuar mesazhet nga aplikacione të tjera, si Signal. Ai i mori të dhënat për një numër zyrtarësh më të madh se sa mendohej më parë.
Me ndihmën e organizatës jofitimprurëse Distributed Denial of Secrets, e cila publikon informacione të hakuara me interes publik, Reuters zbuloi se informacionet e më shumë se 60 zyrtarëve kishin rrjedhë nga sistemi TeleMessage.
Bëhet e ditur se mes tyre ka punonjës të Departamentit të Shtetit, të Shtëpisë së Bardhë, të shërbimeve të urgjencës dhe të Shërbimit Sekret.
Megjithëse mesazhet ishin të fragmentuara në shumë raste, gazetarët arritën të mësonin numrat e telefonave të punonjësve të qeverisë.
Përdoruesit e jashtëm, numrat e të cilëve u rrezikuan gjithashtu, duke përfshirë një person që kërkon ndihmë pas një fatkeqësie natyrore dhe një punonjës në një institucion financiar, konfirmuan se ata kishin shkëmbyer mesazhe me zyrtarë të administratës Trump.
Gjithçka shkoi keq për Waltz pasi ai e shtoi aksidentalisht kryeredaktorin e revistës The Atlantic, Jeffrey Goldberg, në një grup në Signal ku zyrtarët po diskutonin për planet ushtarake amerikane, më saktë për sulmet ndaj grupit Houthi të Jemenit.
Waltz u fotografua duke e përdorur aplikacionin TeleMessage në një mbledhje të kabinetit të presidentit Trump, vetëm pak ditë para se të zbulohej se aplikacioni dhe serveri i tij ishin hakuar.
Waltz u largua nga Shtëpia e Bardhë, por incidentet vazhdojnë ende. Sipas informacioneve të publikuara nga Wired, një haker arriti të depërtojë në serverin e TeleMessage për më pak se 20 minuta. Sipas hulumtimeve të ekspertëve, aplikacioni TeleMessage e zbatoi gabimisht urdhrin “hashing”, gjë që e bëri jashtëzakonisht të lehtë gjetjen e fjalëkalimeve të përdoruesve.
Raportohet se Shtëpia e Bardhë e pranoi incidentin, por nuk shpjegoi detajet.
Hakeri, pasi arriti të ketë qaje, e gjeti një skedar të quajtur “heapdump”, i cili përmbante informacione për hyrje. Meqenëse mesazhet ishin arkivuar pa enkriptim, ai arriti të shihte edhe pjesë të komunikimit të punonjësve të administrates Trump.
(r.m.)