Hamasi e vonon lirimin e pengjeve, e akuzon Izraelin se e shkeli marrëveshjen

Gazë, 25 nëntor 2023 – Grupi militant Hamas e ka vonuar dorëzimin e pengjeve izraelite, duke e akuzuar Izraelin se e ka shkelur marrëveshjen për shpërndarjen e ndihmave në Gazë dhe se e ka ndryshuar listën e të burgosurve që do t’i lironte në kuadër të marrëveshjes.

14 pengje që po mbaheshin peng nga grupi militant Hamas pritej të liroheshin të shtunën pasdite. Ndërkaq, Izraeli do të lironte 42 të burgosur palestinezë të shtunën në mbrëmje.

Mirëpo të shtunën pasdite Hamasi ka deklaruar se do të vonojë procesin për shkak të numrit të kamionëve me ndihma që kanë arritur në Gazë. Një zyrtar i Hamasit ka thënë se dorëzimi i pengjeve është shtyrë për shkak se Izraeli ka lejuar të hyjnë në veri të Gazës vetëm tre kamionë, nga 100 sa ishin marrë vesh.

Por, Izraeli ka reaguar menjëherë, duke i mohuar të gjitha pretendimet e grupit militant. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite i ka thënë kanalit francez BFM se Izraeli e ka respektuar plotësisht marrëveshjen.

Të shtunën autoritetet izraelite patën njoftuar se pesëdhjetë kamionë që transportonin ushqime, ujë, pajisje mjekësore dhe për strehim mbërritën në pjesën veriore të Gazës.

Sipas marrëveshjes së arritur gjatë bisedimeve që përfshinë Izraelin, grupet militante palestineze, Katarin, Egjiptin dhe Shtetet e Bashkuara do të lirohen gjithësej 50 pengje izraelite dhe 150 të burgosur palestinezë.

24 pengje izraelite, mes të cilëve 13 gra dhe fëmijë të moshës nga 2 deri në 85 vjeç, u liruan të premten në mbrëmje. Qeveria e Katarit bëri të ditur se Hamasi i liroi të premten edhe 10 shtetas tajlandezë dhe një shtetas filipinas.

Izraeli ka paralajmëruar se armëpushimi mund të zgjatet një ditë për çdo 10 pengje shtesë që lirohen nga Hamasi. Një zëdhënës i Katarit tha se Doha shpreson të ndërmjetësojë një marrëveshje tjetër për lirimin e më shumë pengjeve nga Gaza deri në ditën e fundit të armëpushimit.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në fjalimin e së premtes, tha se shanset për zgjatje të armëpushimit janë reale. Ai shtoi se dy gra dhe një fëmijë 4 vjeçar amerikan janë në mesin e personave që konsiderohen të zhdukur.

Gjatë armëpushimit, pritet që në Gazë të futen kamionë me ndihma dhe karburant.

Sipas Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe palestineze vetëm të premten në rajon u futën 196 kamionë me ndihma humanitare, aukolona më e madhe e këtij lloji që është futur në Gazë që nga fillimi i luftës.

(r.m.)