Hamza e refuzon ftesën e Kurtit për takim, premton kontributin e PDK-së për konstituimin e Kuvendit

Prishtinë, 7 gusht 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, e ka refuzuar edhe një ftesë për takim të dërguar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në përgjigjen drejtuar Kurtit, Hamza ka përsëritur qëndrimin tashmë të njohur të kësaj partie – që të qëndrojë në opozitë. Ai ka thënë se ky qëndrim është marrë për shkak të “dallimeve programore dhe konceptuale” të PDK-së me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Për shkak të dallimeve tona programore dhe konceptuale, Partia Demokratike e Kosovës do ta ushtrojë përgjegjësinë e saj në opozitë, brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës. Aty do të japim kontributin tonë për forcimin e demokracisë, mbrojtjen e interesit shtetëror ndhe përfaqësimin e interesave të shqiptarëve”, ka shkruar ai.

Hamza i ka kërkuar Kurtit që sot, brenda afatit kushtetues, të ndërmarrë hapat e nevojshëm për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit.

“Nga ju kërkojmë që sot, në përputhje me afatin e përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, të ndërmerrni hapat e nevojshëm për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit dhe t’i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja”, ka shkruar Hamza.  

“Partia Demokratike e Kosovës do ta japë kontributin e saj në konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Hamza në mbyllje të përgjigjes dërguar Kurtit.

Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit përfundon sonte në mesnatë. Kuvendi konsiderohet i konstituuar me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.

Seanca konstituive e Kuvendit u hap të enjten, por punimet e saj u ndërprenë me kërkesë të Kurtit, i cili kërkoi “kohë shtesë” për vazhdimin e përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje politike për formimin e institucioneve të reja të shtetit, përfshirë zgjedhjen e presidentit të vendit.

Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me subjektet e komuniteteve joshumicë, i ka votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, si edhe për zgjedhjen e qeverisë, por nuk mund ta krijojë kuorumin për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit pa votat e së paku 18 deputetëve të subjekteve deri tani opozitare.

Kurti u ka dërguar ftesë për bisedime drejtuesve të tri partive shqiptare: Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës. Ftesës së tij i është përgjigjur pozitivisht vetëm kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, por deri më sot nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

Kurtit dhe Abdixhiku, në takimet e deritashme, kanë biseduar për formimin e qeverisë dhe për zgjedhjen e presidentit. Sipas deklaratave publike të tyre, ata nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët për çështjen e presidentit. Kurti këmbëngul që presidenti i ardhshëm të jetë një figurë jopolitike, e pranueshme për të gjithë, ndërsa Abdixhiku kërkon që pozita e presidentit t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

(r.m.)