Prishtinë, 14 gusht 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka shpjeguar përse kjo parti ka vendosur të mos bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendiosje (LVV) në procesin e formimit të institucioneve.
Hamza ka deklaruar se PDK-ja nuk ka pasur vija të kuqe ndaj asnjë subjekti politik dhe ka qenë e gatshme për bashkëpunim edhe me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), por ka ardhur në përfundimin se Albin Kurti, siç është shprehur, “nuk do bashkëpunim e partneritet, por nënshtrim”.
“Ne kemi thënë që s’kemi vija të kuqe me ndonjë parti politike. Nuk i kemi ikur bashkëpunimeve e takimeve. Kemi folur edhe për bashkëpunime qeverisëse. Por, nuk kanë qenë takime productive, me rezultat. Kurti nuk do bashkëpunim, partneritet, por nënshtrim”, ka thënë Hamza, në një konferencë për media, të premten.
Hamza ka thënë se PDK-ja po kërkon që rezultati i zgjedhjeve të respektohet dhe vendi të bëhet me institucione funksionale, duke shtuar se vendimi i LDK-së i ka hapur rrugë procesit.
“Ne po themi: Ejani t’i japim vendit institucione në përputhje me rezultatin zgjedhor. Bëjeni kryetarin e Kuvendit, qeverinë, zgjidheni presidentin. Tash, pas qëndrimit të fundit të LDK-së, rruga është e hapur, i kanë numrat, i kanë votat”, është shprehur ai.
Hamza ka thënë se përgjegjësia për tejkalimin e krizës institucionale tashmë bie vetëm mbi Albin Kurtin. Ai ka thënë se është në dorën e Kurtit të krijojë institucione funksionale apo të vazhdojë ta mbajë vendin në vakum institucional dhe në ngërç politik.
Kryetari i PDK-së e ka akuzuar Kurtin edhe për, siç është shprehur, “suspendimin e rendit kushtetues, mosrespektimin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe shpërfilljen e Rregullores së punës së Kyuvendit”.
“Nuk mund të jesh në të njëjtën kohë edhe deputet, edhe ministër apo kryeministër”, ka thënë ai.
Hamza e ka cilësuar si “ftesë pa përmbajtje” ftesën publike të Kurtit për diskutime për emra të kandidatëve për president të vendit, duke lënë të kuptohet se nuk beson se Kurti është i gatshëm të pranojë kandidatë të propozuar nga partitë që do të jenë në opozitë.
(r.m.)