Hamza në SHBA: Partneriteti me SHBA-në është jetik për Kosovën

Uashington, 8 gusht 2024 – Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, i cili po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka njoftuar se ka pasur një takim me dy zyrtarë të lartë të Këshillit për Siguri Kombëtare të SHBA-së: drejtorin për Evropë, Michael Carpenter, dhe drejtoreshën për Ballkanin dhe Evropën Qendrore, Kathleen Larkin.

Në një postim në Facebook, Hamza ka thënë se nga dy zyrtarët e lartë amerikanë mori mesazh të qartë se Shtetet e Bashkuara e mbështesin pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Vizitën time në SHBA e fillova me një takim me Asistentin Special të Presidentit Biden, Ambasadorin Michael Carpenter, që njëherësh është Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare (KSK), si dhe me Drejtoreshën për Ballkan dhe Evropë Qendrore (KSK), znj. Kathleen Larkin. Mesazhi që mora ishte i qartë: SHBA qëndrojnë pranë nesh dhe mbështesin pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, ka shkjruar Hamza.

Ai ka thënë se me zyrtarët amerikanë janë pajtuar se tani është koha për progres drejt njohjes së Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur ende dhe drejt sigurimit të udhërrëfyesit për anëtarësim të Kosovës në BE dhe në NATO.

Hamza, i cili është kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër të vendit, ka thënë se nikoqirët e takimit i ka njoftuar edhe me vizionin e tij për të ardhmen e Kosovës.

Postimi i plotë:

“Vizitën time në Shtetet e Bashkuara e nisa me një takim me Asistentin Special të Presidentit Biden, ambasadorin Michael Carpenter, i cili është Drejtor i Lartë për Evropën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare (CSK) dhe me Drejtoren për Ballkanin dhe Evropën Qendrore (CSK), znj. Kathleen Larkin. Mesazhi që mora ishte i qartë: SHBA-ja qëndron pranë nesh dhe e mbështet pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

U pajtuam që tani është koha për progres në konsolidimin e Kosovës drejt njohjes nga pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, drejt sigurimit të udhërrëfyesit për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe dhe eventualisht në NATO dhe BE.

Këto janë qëllimet strategjike për të cilat folëm gjerësisht. Shkurtimisht e prezantova vizionin dhe planin tim që Kosova të ecë më shpejt përpara drejt zhvillimit ekonomik, rritjes së pagave në sektorin publik, investimeve kapitale dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.

Për realizimin e të gjitha këtyre synimeve, partneriteti me SHBA-në është i një rëndësie jetike dhe të pazëvendësueshëm për Kosovën time.

(r.m.)