Prishtinë, 16 shtator 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, e cilësoi ditën e sotme si “ditë të zezë” për Kosovën.
Në një konferencë për medie, ai tha se aktgjykimi dënues i shkallës së parë të Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së është “goditje e rëndë për luftën e UÇK-së, lirinë, pavarësinë dhe shtetin e Kosovës.
“Sot është një ditë e rëndë për Kosovën. Një ditë e zezë. Por, është edhe një ditë e turpit për drejtësinë ndërkombëtare. Aktgjykimi i sotëm ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka sjell dhimbje dhe zhgënjim të thellë tek të gjithë ne. Një dhimbje e zhgënjim që nuk e kemi pritur”, tha Hamza.
“Vendimi i shqiptuar sot nuk është bërë në emër të popullit të Kosovës. Vendimi i shqiptuar sot është bërë kundër popullit të Kosovës, kundër shtetit të Kosovës. Ne e kemi përcjellë këtë proces me besimin se në fund drejtësia do të mbështetet vetëm në fakte, në prova dhe në përgjegjësi individuale. Por, sot nuk pamë drejtësi”, shtoi ai.
Hamza tha se vendimi për dënimin e ish-krerëve të UCK-së është marrë në mbështetje të fabrikimeve të Serbisë.
“Ai vendim mbështetet edhe në pretendime e materiale që i konsiderojmë të fabrikuara dhe të ushqyera ndër vite nga aparati shtetëror dhe propaganda e Serbisë për ta kriminalizuar luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U dënuan, ndër tjera, edhe pse ushtarët e UÇK-së kanë ndaluar dhe legjitimuar serbë në zonat e UÇK-së gjatë luftës. Madje, u dënuan edhe për raste që Tribunali Ndërkombëtar i Hagës kishte shpallur pafajësi më herët”, tha ai.
Hamza shprehu bindjen se në fazat e ardhshme të procesit gjyqësor do të provohet pafajësia e ish-krerëve të UÇK-së.
“Procesi juridik nuk ka përfunduar dhe fjala e fundit e drejtësisë ende nuk është thënë. Nuk është e njëjta gjë të provohet se gjatë luftës janë kryer krime dhe të provohet se katër individë të caktuar kanë pasur një qëllim të përbashkët kriminal për kryerjen e tyre. Për secilin prej të akuzuarve duhet të provohet, jo vetëm pozita që ka mbajtur, sepse pozita në një strukturë nuk mund ta zëvendësojë provën e përgjegjësisë individuale. Gjatë këtij procesi janë dëgjuar dëshmi të rëndësishme për strukturën dhe funksionimin real të UÇK-së. Njerëz që gjatë viteve 1998 dhe 1999 kishin kontakte të drejtpërdrejta me UÇK-në, përfshirë përfaqësues të lartë amerikanë dhe të NATO-s, të cilët kanë dëshmuar për natyrën e decentralizuar të organizimit të saj dhe për kufizimet e strukturës së komandës dhe kontrollit”, tha ai.
Hamza tha se ish-krerët e UÇK-së do ta kenë mbështetjen e plotë të PDK-së në fazat e ardhshme të procesit gjyqësor.
“Partia Demokratike e Kosovës do të jetë në përkrahje të luftës së drejtë dhe të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Do të jetë në përkrahje të plotë të udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme demokratike dhe ligjore, që kanë të bëjnë me këtë proces”, tha ai.
(r.m.)