Hamza: PDK-ja nuk propozon kandidat për president pa marrëveshje politike

Prishtinë, 5 mars 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka shprehur qëndrimin e partisë së tij për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të vendit, pasi Lëvizja Vetëvendosje e propozoi Glauk Konjufcën kandidat për këtë pozitë.

Hamza ka thënë se PDK do të vendosë nëse deputetët e saj do të hyjnë ose jo në seancën e Kuvendit, varësisht prej zhvillimeve të pritshme në prag të skadimit të afatit kushtetues për fillimin e procedurës për zgjedhjen e presidentit në Kuvend. 

“Vendimi do të merret në bazë të zhvillimeve që do të ndodhin”, ka thënë ai.

I pyetur se përse PDK-ja nuk po propozon një kandidat për president, Hamza ka thënë se pa marrëveshje politike nuk ka kandidat.

“Pa marrëveshje politike nuk ka kandidat. Ne kemi kërkuar marrëveshje politike, e kemi dhënë ofertën tonë. Një marrëveshje politike që nënkupton kandidati ose kandidatja e propozuar nga PDK-ja të jetë president”, ka thënë ai.

Ndërkaq deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka deklaruar se kjo parti nuk do ta mbështesë kandidaturën e Glauk Konjufcës për President dhe se deputetët e PDK-së nuk do të marrin pjesë në seancën për zgjedhjen e Presidentit, nëse ajo do të mbahet.

“Ne nuk e mbështesim kandidaturën e Glauk Konjufcës dhe asnjë kandidaturë tjetër partiake. Është qëndrim i qartë dhe nuk do të marrim pjesë në seanca. Por, ajo që po përgaditet është mos të mbahen seancat fare”, ka thënë ai.

Gruda e ka cilësuar si “përmbysje të rendit kushtetues” shtyrjen e fillimit të seancës për zgjedhjen e presidentit.

“Sot kuvendi është dashur të mblidhet që ta zgjedhë ose mos ta zgjedhë një president. Kjo situate – as mos me zgjedhë, as mos me e konsomu procedurën është shkelje e Kushtetutës dhe po bëhet me qëllim që të përmbyset rendi kushtetues”, ka thënë Gruda.

I pyetur nëse PDK-ja ka kandidat për president, ai ka thënë se kjo parti nuk i ka votat e nevojshme për ta zgjedhur presidentin.

“Jo, sepse e vërteta është që nuk i kemi votat”, ka thënë Gruda.

(r.m.)