Hapet në Kosovë zyra e Unionit të Bizneseve shqiptaro – gjermane

Prishtinë, 24 nëntor 2023 – Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se në Kosovë është hapur zyra e Unionit të Bizneseve shqiptaro – gjermane.

Rama, në një postim në Facebook, ka shkruar se ai, si njeri që vjen nga diaspora, e kupton mirë nevojën, dëshirën e dashurinë e biznesmenëve shqiptarë në Gjermani që të investojnë në vendin e vet.

“Tani, nuk është koha vetëm të japim por është koha që diaspora jonë të bashkëkrijojë me vendin tonë, me Prishtinën, Kosovën, Shqipërinë e gjithë shqiptarët kudo që janë…”, ka shkruar ai.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shkruar se në Gjermani ka dhjetra biznese të suksesshme të shqiptarëve që mund të ndihmojnë ekonominë e Kosovës

“Sot ne Gjemani janë dhjetëra biznese të suksesshme, ku kanë arritur që në bashkëveprim të rrisin potencialin e tyre në tregun gjerman e më gjerë por edhe të ndihmojnë ekonominë e Kosovës përmes projekteve të ndryshme”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“Hapja e zyrës se Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane në Kosovë është një moment krenarie. Një mundësi e mirë për zgjerimin e veprimtarisë së tyre në favor të zhvillimit dhe shtritjes së bizneseve të diasporës në vendlindje dhe bashkëpunimit ekonomik me kompanitë e Kosovës, një moment jetik për hapjen e vendeve të punës dhe qëndrimin e të rinjve në Kosovë”, ka theksuar ai.

(r.m.)