Hapet një front i ri i luftës në Ukrainë, forcat ruse e sulmojnë Kharkivin

Kiev, 11 maj 2024 – Forcat ruse filluan një sulm tokësor të premten pranë Kharkivit, qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, në verilindje të vendit, duke hapur një front të ri në luftën që prej kohësh ishte përqendruar në lindje dhe jug.

Ukraina dërgoi përforcime ndërsa luftimet u ndezën në zonat kufitare të rajonit, tha ministria e mbrojtjes, duke shtuar se Rusia kishte goditur qytetin kufitar të Vovchanskit me bomba dhe artileri.

“Rusia ka filluar një valë të re veprimesh kundërsulmuese,” tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy në një konferencë shtypi në Kiev. “Tani ka një betejë të ashpër në këtë drejtim”.

Ukraina kishte paralajmëruar për një përqendrim rus në zonë, gjë që mund të sinjalizonte përgatitje për një ofensivë ose një manovër për të shpërndarë forcat ukrainase më të pakta në numër. Është e paqartë nëse Moska do ta vazhdojë sulmin.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha për herë të parë se Rusia po konsolidon gjithashtu forca në veri të Kharkivit pranë Sumy-t dhe pjesëve të Chernihivit.

Presidenti Zelenskiy ka thënë se Rusia mund të jetë duke përgatitur një ofensivë madhore këtë pranverë ose verë. Forcat e Kievit ishin përgatitur për të përballuar sulmin e së premtes, por Moska mund të dërgojë më trupa të tjera në zonë, tha ai.

Shtëpia e Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara po koordinoheshin ngushtë me Ukrainën për ofensivën ruse në Kharkiv.

Zyrtarët e lartë ukrainas kanë thënë vazhdimisht se nuk besojnë se Rusia ka kapacitetin për të nisur një operacion të suksesshëm për të marrë nën kontroll qytetin e Kharkivit ku banojnë 1.3 milionë vetë.

Zëdhënësi ushtarak Nazar Voloshyn tha se luftimet ishin ende të ndezura në mbrëmje dhe se situata ishte dinamike. Ai tha se besonte se operacioni i Moskës kishte për qëllim tërheqjen e trupave në Kharkiv nga lindja, ku Rusia po e përqendron ofensivën e saj. Moska nuk ka komenuar për këto zhvillime.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*