Veprimtari te “Bijtë e shqipes” në Philadelphia kushtuar kësaj ngjarje me rëndësi kombëtare
Nga dr. Sadik Elshani
Më 15 shkurt të këtij viti Kosova shënon 15 vjetorin e pavarësisë së saj. Ishte ky një rrugëtim i gjatë vuajtjesh, sakrificash, përpjekjesh e luftërash për liri e pavarësi. Wshtë ky kurorëzimi i të gjitha këtyre përpjekjeve qe ben breza të tërë shqiptarësh. Lista me emrat e atyre që luftuan me pushkë e penë është e gjatë, ngjarjet qe çuan deri në fitoren përfundimtare janë të shumta. Por, njëra nga ngjarjet më të rëndësishmë në historinë e Kosovës pa të cilën vështirë që do të arrihej pavarësia, është hapaja e shkollave të para shqipe në Kosovë në vitet 1941 – 1944.
Hapja e shkollave shqipe në Kosovë 82 vite më parë është faqe e ndritur dhe e lavdishme atdhedashurie e arsimit tonë kombëtar, është njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës. Figurë kyçe, ai që e ndërmori këtë mision për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare (“Tokat e Lirueme”), ka qenë intelektuali, studiusi, publicist dhe shkrimtari i njohur, Ernest Koliqi (1903 – 1975), i cili në atë kohë (1941) ka qenë ministër i Arsimit në Shqipëri. Me këtë mision të jashtëzakonshëm shkollor ai e kishte ngarkuar intelektualin dhe pedagogun gjirokastrit, Ali Hashorva. Ishte ky mision arsimor, atdhetar e vizionar që mishëronte programin e madh të Rilindjes sonë Kombëtare, perhapjen e diturisë e perparimit, zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjes kombetare te shqiptarët. Ky ishte misioni më i rëndësishëm, më atdhetar që ka ndërmarrë ndonjëherë ndonjë qeveri shqiptare për shqiptarët që mbetën jashtë kufijve shteterorë
Veprimtari te “Bijtë e shqipes” për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë
Në kuadër të festimeve të 15 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovëe e për të shënuar këtë ngjarje të rëndësishmë për Kosovën e gjithë shqiptarët, shoqata “Bijtë e shqipes” ditën e shtunë, 4 shkurt, organizoi një veprimtari dinjitoze. (Kjo ishte një nga tri veprimtaritë që shoqata jonë do ta shënojë pavarësinë e Kosovës: më 17 shkurt do të organizohet ceremonia e ngritjes së flamurit të Kosovës në Bashkinë e Philadelphias, ndërsa më 18 shkurt do të organizohet Mbrëmja Festive me darkë e muzikë shqiptare). Për t’i dhënë një pamje festive e për ta bërë më të afërt këtë veprimtari në një tavolinë ishin vendosur fotografitë e Ernest Koliqit, Ali Hashorvës, mësuesit Hilmi Duli, nga Shkodra, si dhe një foto e vitit 1943 e bërë në shkollën e Suharekës, ku zoti Hilmi ka qenë mësues për tri vite. Veprimtarinë e hapi kryetari i shoqatës, z. Bujar Gjoka i cili i përshëndet të pranishmit, duke i njoftuar për programin që ishte planifikuar për këtë takim. Pastaj fjalën ia dha z. Sadik Elshani, i cili ishte angazhuar për organizimin e kësaj veprimtarie. Ai me këtë rast kishte përgatitur materialin me titull: “Hapja e shkollave të para shqipe në kosovë në vitet 1941 – 1944, mision i shenjtë kombëtar”. Në fillim ai foli për rëndësinë e këtij misioni, fjalë që u cekën pak më lartë në këtë shkrim dhe pastaj i njoftoi të pranishmit për gjendjen e rëndë të shqiptarëve nën regjimin e egër serb, ku dhuna ishte bërë pjesë e përditshme, e pandarë e jetës së tyre. Dhuna ushtrohej në të gjitha mënyrat fizike e shpirtërore, vetëm e vetëm për ta bërë jetën e shqiptarëve sa më të mjerushme dhe për t’i detyruar ata që t’i braktisnin trojet e tyre e të shpërnguleshin në Turqi, ndërsa në vend të tyre t’i sillnin kolonët serbë e malazezë. Nuk kishte shkolla në gjuhën shqipe, sepse përdorimi i gjuhës shqipe ishte i ndaluar në jetën publike si dhe në administratë. Shkurt, shqiptarëve u mohohej çdo e drejtë njerëzore dhe lista e vuajtjeve të tyre ishte e pafund. Në kujtesën e shqiptarëve të Kosovës kjo periudhë e errët dhe e egër njihet si “Koha e Serbisë”.
Fundi i “Kohës së Serbisë” dhe ardhja e “Kohës së Shqipnisë”
Në vazhdim të fjalës së tij z. Elshani foli për fundin e “Kohës së Serbisë” dhe ardhjen e “Kohës së Shqipnisë”, siç njihet në Kosovë periudha e viteve 1941 – 1924: “Kohës së Serbise” i erdhi fundi, Jugosllavia e Kralit kapitulloi dhe u pushtua nga Gjermania e Italia. Pas 30 viteve nën sundimin e egër serb, tani Kosova dhe trojet tjera shqiptare në ish Jugosllavi iu bashkuan Dheut Mëmë, shqiptarët po merrnin frymë pak më lehtë. U hapën shkollat shqipe, u vendos administrata në gjuhën shqipe, me nëpunës shqiptarë, me prefektë e nënprefektë shqiptarë. Përsëri po valonte Flamuri Kuq e Zi! Thirrjes së ministrit të Arsimit, Ernest Koliqi, iu përgjigjen qindra mësues atdhetarë dhe shkuan vullnetarisht për të punuar në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Ishin këta mësues të rinj me plot energji rinore, entuziazëm, mësues që kishin kryer Normalen e Elbasanit. E gjetën Kosovën ashtu siç e kishin paramenduar: kreshnike, kështjellë burrërie e trimërie, djep të shqiptarizmit. Edhe pse po ballafaqoheshin me shumë probleme e vështirësi të mëdha, sepse ishin shkolla që po hapeshin për herë të parë, ata punuan me vetëmohim të papërshkrueshëm, pa u ndalur ditë e natë. Mësonin fëmijët që ishin të etur për dituri, mësonin edhe të rriturit, sepse në atë kohë popullsia e Kosovës ishte mbi 90% analfabete. Edhe populli i Kosovës i priti mesuesit me dashuri vëllazerore, respekt e mirënjohje te thellë e të pakufishme për misionin e tyre të shenjtë kombëtar.
Ardhja e mësuesve nga Shqipëria, hapja e shkollave shqipe në Kosovë
Këta mesues u bën pishtarë të arsimit shqip në Kosovë. Në vitin shkollor 1941 – 1942 u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze te ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941 u hap Shkolla Normale në Prishtinë. Në fillim në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Në mesin e këtyre mësuesve kishte edhe mjaft të rinj nga Kosova që ishin shkolluar në Shqipëri,por nuk kishin mundur të ktheheshin më parë në Kosovë. Ky numer më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin shkollor 1943 – 1944 ky numër u rrit në 400. Po në këtë vit shkollor mësimet i vazhdonin mbi 25 mijë nxënës. Këto shkolla u bën vatra të diturisë dhe atdhedashurisë. Tani nxënësit e Kosovës po mësonin për herë te parë historinë tonë kombëtare, po mësonin për ilirët, Skenderbeun, Lidhjen e Prizrenit, Ismail Qemalin. Po mësonin vjershat e Naimit, Cajupit, At Gjergj Fishtes, Dom Ndre Mjedes, Asdrenit – vjersha që me dashuri i këndonin atdheut, gjuhës shqipe, i thurnin himne Shqiperise. Përveç njohurive që po merrnin për gjuhën, letërsinë, kulturën, historinë shqiptare, ata po brumoseshin edhe me ndjenjat e atdhedashurisë e krenarisë sonë kombëtare. Për herë të parë e kanë parë flamurin kuqezi duke u valvitur përpara syve të tyre, e kane kënduar Himnin e Flamurit, me shumë dashuri i kanë kënduar këngët atdhetare: “Për Mëmëdhenë”, “Dalëngadalë po vjen behari”, etj. Përveç punës me përkushtim me nxënësit, ata përmes kurseve të ndryshme përgatiten edhe mësuesit e parë shqiptarë, të cilët më vonë do ta vazhdonin këtë mision. Pas vitit 1944 një pjesë e këtyre mësuesve u largua nga Kosova, ndërsa pjesa dërmuese u largua më 1948 kur u prishën marrëdhëniet shqiptaro – jugosllave. Por, disa qëndruan edhe pas vitit 1948 dhe tërë jetën e kaluan në Kosovë. Mehmet Gjevori (1910 – 2007), Tajar Hatipi (1918 – 1977), Stathi Kostari, Gjakush Çapari e shumë të tjerë e panë të nevojshme që të qëndronin në Kosovë dhe ta vazhdonin këtë mision, duke u bërë bartësit kryesorë të zhvillimit të arsimit shqip, veprimtarisë botuese e publicistike, hartimit të teksteve shkollore, etj. Periudha 1941 – 1944 njihet në Kosovë si “Koha e Shqipnisë”, sepse shkollat, administrata ishin të gjitha në gjuhën shqipe, nëpunësit dhe drejtuesit e pushtetit vendor ishin shqiptarë. Kuptohet, vendi ishte i pushtuar nga Italia e më vonë Gjermania. Pushtues të mirë nuk ka, por sa i përket të drejtave dhe lirive të tyre, për shqiptarët e Kosovës, “Koha e Shqipnisë” as që mund të krahasohet me kohën e egër e barbare, “Kohën e Serbisë”.
Z. Hilmi Duli, mësuesi shkodran i Suharekës
Zoti Sadik Elshani të pranishmëve u foli edhe për shkollën e Suharekës/Therandës, sepse ishte rritur me rrëfimet për ate kohë: “Në Suharekën time (tani Theranda) mësues ka qenë zotni Hilmi Duli (Raxhimi), nga Shkodra. Të gjithë ish nxënësit e tij, gjithë qytetarët e Suharekës që e kanë njohur atë, gjithmonë e kujtonin me shumë mall, me shumë dashuri e respekt. Edhe pse Shqipëria e para viteve të 90-ta të shekullit të kaluar ishte e mbyllur hermetikisht, suharekasit kurrë nuk i kanë ndërprerë lidhjet me mësuesin e tyre të dashur. Dikush e kontaktonte përmes ndonjë letre, dikush i dërgonte të fala përmes familjarëve qe i kishin në Shqipëri, dikush i dërgonte të fala përmes pjestarëve të grupeve sportive e artistike që e vizitonin Kosovën, ndersa disa, pak nga ata qe kishin patur rastin ta vizitonin Shqipërinë, gjithësesi janë munduar që ta takonin mësuesin e tyre të dashur, të nderuarin Hilmi Duli. Pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri, kur u hapën edhe kufijtë, atëherë shumë ish nxënës kanë shkuar për ta vizituar mësuesin e tyre të parë, mësuesin e parë shqiptar të Suharekës. Këto lidhje, takime janë duke vazhduar edhe sot me familjarët e mësues Hilmiut. Janë këto lidhje shumë të forta, sepse janë farkuar në një kohë të jashtëzakonshme, në “Kohën e Shqipnisë”
Lidhjet me familjen e z. Hilmi Duli vazhdojnë edhe sot
Unë personalisht përmes Facebook-ut kam lidhje me vajzën e mësuesit Hilmi, zonjën Ylbere Raxhimi – Troshani dhe djalin e tij, Zyhdiun. Për veprimtarinë tonë i kërkova zonjës Ylbere që të na dërgonte disa përshtypje të babait të tyre për ato vite të kaluara në Suharekë. Për kënaqësinë time, pa vonuar shumë, zonja Ylbere më dërgon shumë më shumë materiale se që kisha pritur. Të gjitha këto materiale u lexuan në veprimtarinë tonë në formë të shkurtuar, për të kursyer kohën u lexuan vetëm ato pjesët më të rëndësishme. Në fillim zonja Ylbere, duke m’u drejtuar mua na dërgoi këtë përshëndetje: “I nderuari z. Sadik! Së pari të falenderojmë për kontributin tuaj shumë të madh në misionin për lartësimin e shqipes sonë të dashur. Falë gjakut të derdhur në shekuj, sakrificave të mëdha, punës së palodhur, pendës së Rilindasve, mësuesve të gjuhës shqipe dhe shoqatës “Bijtë e shqipes”, që ju drejtoni, na bëni të ndjeheni krenar. (Për momentin shoqatën e drejton kryetari, z. Bujar Gjoka, – SE). Ne fëmijët e Hilmi Dulit (Raxhimi) ndjehemi të privilegjuar që shoqata juaj, “Bijtë e shqipes” do të organizojë një veprimtari për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë në vitet 1941 – 1944”. Pastaj më njofton për materialet që na ka dërguar dhe na uron shëndet e suksese në punën tonë në shërbim të kombit.
Nga kujtimet e mësues, z. Hilmi Duli
Unë nuk e kam ditur që zoti Hilmi i kishte shkruar kujtimet e tij për ato vite të kaluara në Kosovë, prandaj kjo për mua ishte një befasi e këndshme. Këto kujtime mësuesi i nderuar i kishte hedhë në letër në shkurt të vitit 1981 në Shkodër, me titull: “Kujtime të kalueme”. Në fillim tregon për ndjenjën e simpatisë e dëshirën për të parë tokën e Kosovës, sepse në lagjën e tij, “Rusi i vogel” kishte parë shumë kosovarë që ishin shpërngulur pas Luftës së Parë Botërore. Ai në vitin 1924 i kishte parë Shote dhe Azem Galicën duke ecur rrugëve të Shkodrës. Pastaj pas shumë vitesh ai kishte pasur edhe shumë shokë nga Kosova në Normalen e Elbasanit me të cilët kishte lidhur një shoqëri të ngushtë. Më tutje ai shkruan: “Edhe mue m’u rinue dishira për të parë Kosovën dhe vllaznit kosovarë, për këtë shfaqa dishirën, e cila m’u realizue, pse posa mbaroi viti shkolluer (‘40 – 41) më njoftuen se duhet të nisesha për Kosovë, për të hapë kurset verore, për përgatitjen e nxënësve për vitin shkolluer 1941/1942. Gjithë gëzim pregatitemi, takohemi me shokë, bisedojmë të entuziazmuem që do të shohim Kosovën”. Dhe pastaj tregon për rrugëtimin e tyre drejt Kosovës, ndaljen në Prizren dhe vizitën që i bëjnë qytetit; vazhdimin e rrugës drejt Prishtinës dhe punën që e bëjnë gjatë muajve të verës për përgatitjen e kursistëve.
Puna si kryemësues në shkollën e Suharekës
Në vitin shkollor 1941 – 1942 zoti Hilmi caktohet si kryemësues në Suharekë. Tregon pastaj për vështirësitë që ka hasur në fillim, sepse duhej të kryheshin shumë punë për rregullimin e shkollës, por me ndihmën e qytetarëve të Suharekës këto vështirësi tejkalohen dhe shkolla bëhet gati për ta vazhduar punën. Për punën e shkollës, z. Hilmi shkruan: “Gjatë zhvillimti të mësimeve vishin prindë për të pa e për të ndigjue mësimin në gjuhën e tyre amtare. Në këtë shkollë filluen mësimet edhe për të rritur (rininë e Suharekës), emnat e të cilve nuk i mbaj mend, por ndoqën me rregull mësimet, natyrisht me vështirësi, sepse shërbeheshim vetëm me nji kamil me vaj-guri. Puna vazhdoi pothuej gjatë gjithë vitit shkolluer. Kam pasë mbetë shumë i kënaqun me ata djem”. Përveç mësimit zoti Hilmi është angazhuar edhe për edukimin atdhetar të qytetarëve të Suharekës: “Me rastin e 28 Nandorit 1941 u ngarkova që të mbajshëm nji bisedë para popullit. Për këtë u pregatita duke shenjue disa data historike dhe punën që bënë patriotët shqiptarë si mbrenda dhe jashtë atdheut për të arritë në shpalljen e pavarësisë duke theksuar natyrisht luftat e përbashkëta të të gjitha krahinave veriore e jugore, që nga Mitrovica e deri në Janinë”.
Në kujtimet e tij z. Hilmi rrëfen edhe për shfaqjet artistike shkollore me përmbajtje të shëndoshë kombëtare e pikniqet në vendet përreth Suharekës që organizoheshin me nxënësit e shkollës. Për respektin që tregonte populli i Sharekës për të, shkruan: “Dua të tregoj dhe respektin që kish ndaj meje jo vetëm populli i Suharekës, por edhe i gjithë fshatrave përreth. Nuk kish festë në ndonjë fshat që të mos ftohesha si nji njeri i afërt i tyre. Edhe kur therej pastermi i dimrit do të dërgojshin ftesë për të shkue në darkë”
Koha e ndarjes, për t’u mos u takuar më kurrë.
Por, vjen edhe koha kur mësuesi Hilmi detyrohet që të largohet nga Suhareka, për të mos patur mundëesi për t’u kthyer ndonjëherë tjetër: “Tri vjet janë kenë të gjata, por më janë dukë shumë të shkurta, pse kur u largova vitin e fundit më dukej se nuk isha ngi me popullin kosovar. Po afrohej fundi i vitit shkollor 1943/1944, sikur me na ndi zemra që do të ndahemi pqr shumë kohë. Mblidheshim mbas dreke me të rij e pleq dhe rrijshim pranë shkollës ose në fidanishte ku kalojshim 2 – 3 orë tue bisedue.
Më 29 qershuer tue ndejtë një mbasdreke në fidanishte ndigjojmë një zhurmë aeroplanash, ngrejmë kryet përpjetë shofim aeroplanat, të cilët mitraluen rrugën që nga Qafë – Dula deri në Suharekë e më pastaj në rrugë të Prizrenit mitraluen makina civile, ku vranë disa njerëz. Të nesërmen unë dojshem me ba një program të vogël shkolluer, por me këshillën e pleqve e ndalova dhe më datën 30 qershor 1944 i ndava diftesat. U ndava me fëmijët tue u përqafue përmallshëm e bile tue qa si me ma ndie zemra se nuk do të kthehesha më në atë shkollë e me ndejtë me atë popull që nu do të më harrohet der isa të vdes”. Vërtet një ndarje mjaft emocionale, të tilla ishin edhe kujtimet për z. Hilmi Duli, mësuesin e dashur të suharekasve. Kujtime që nuk u zbehën dhe nuk do të zbehën kurrë.
Përveç kujtimeve të babait, zonja Ylbere na ka dërguar edhe listën e 54 nxënësve të gjeneratës së parë të klasës së parë të vitit shkollor 1941/1942.; disa kujtime të ish nxënësit, dr. Nuhi Veselaj, si dhe letërkëmbimin me z. Destan Bajraktari, ish nxënës në vitin 1941/1942 dhe të zonjës Naxhije Doçi, e bija e z. Destan. Destan Bajraktari, nga Suhareka, ka qenë profesor i gjuhës shqipe, shkrimtar, mbledhës i folklorit, atdhetar, i përndjekur dhe i burgosur politik. Ndërsa vajza e tij, Naxhija, është profesoreshë e gjuhës shqipe, poete dhe veprimtare e çështjes kombëtare.
E falenderojmë nga zemra zonjën Ylbere dhe familjen e z. Hilmi Duli për dërgimin e këture materialeve kaq të vlera, si dhe për punën fisnike të babait të tyre për edukimin arsimor e atdhetar të nxënësve dhe popullsise së Suharekës e të Kosovës! Këto materiale na i bën të afërta e të dashura ato vite të largëta e të lavdishme, ndërsa veprimtarinë tonë e bën më të pasur e më të llojllojshme. Kuvendi i Komunës së Suharekës në vitin 2001 e ka shpallur z. Hilmi Duli “Qytetar Nderi”, për kontributin e dhënë në lëmin e arsimit.
“Rrëfime për Kosovën” – shkollat, një dokumentar i realizuar bukur
Veprimtaria vazhdoi me shfaqjen e një dokumentari për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë në vitet 1941 – 1944. Ky dokumentar i përgatitur nga Grupi Koha, është pjesë e ciklit “Rrëfime për Kosovën. Dokumentari paraqet në mënyrë kronologjike të gjitha zhvillimet për hapjen e shkollave shqipe, paraqet mjaft fakte e dokumente të kohës, fotografi si dhe intervista me shumë dëshmitarë: ish nxënës dhe veprimtarë të asja periudhe. Me intervista parqiten: Don Lush Gjergji, akademikët, Mark Krasniqi e Mehmet Halimi, kritiku letrar, Vehap Shita, Vahide Hoxha e shumë të tjerë. Gati të gjithë të pranishmit në këtë veprimtari po dëgjonin për herë të parë për këto ngjarje të asja periudhe historike të Kosovës. Veprimtaria u mbyll me koktelin tonë tradicional. Edhe gjatë koktelit biseda vazhdoi me pyetje e përgjigje për t’i sqaruar apo plotësuar ngjarjet që u paraqiten në atë dokumentar.
Le të jetë kjo veprimtari modeste një shprehje mirënjohjeje e falenderimi për të gjithë ata titullarë, arsimtarë, administratorë, nxënës e prindër që u angazhuan në këtë Mision të Shenjtë e Historik Kombëtar – mision qëiI ringjalli shpresat e shqiptarëve të Kosovës dhe e mbajti të ndezur zjarrin e atdhedashurisë, e hodhi farën e arsimit shqip në Kosovë. Ju faleminderit përjetë!
Philadelphia, më 5 shkurt 2023
Sadik Elshani ëstë anëtar i Këshillit Drejtues dhe ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.