Haradinaj i kujton vëllezërit Bytyqi: Serbia vazhdon t’i mohojë krimet e luftës dhe t’i dekorojë autorët e tyre

Prishtinë, 8 korrik 2024 – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i ka kujtuar vëllezërit Agron, Yll dhe Mehmet Bytyqi, në 25 vjetorin e vrasjes së tyre nga strukturat shtetërore të Serbisë.

Haradinaj, në një postim në Facebook, ka thënë se shteti serb që i ekzekutoi pa gjyq vëllezërit Bytyqi vazhdon t’I mojojë krimet e luftës të kryera nga ushtria e policia serbe dhe t’i dekorojë autorët e këtyre krimeve.

 “Agron, Yll dhe Mehmet Bytyqi, shtetas amerikanë, si shumë vëllezër e motra kishin lënë ëndrrën amerikane për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare në momentet më vendimtare për Atdheun. Shteti serb përpos që i ekzekutoi pa gjyq, vazhdon me injorimin e krimeve dhe me dekorimin e kriminelëve të luftës, mes tyre edhe ata që dyshohen se vranë Vëllezërit Bytyqi”, ka thënë Haradinaj.

Agron, Yll dhe Mehmet Bytyqi ishin arrestuar në Merdar, në afërsi të vendkalimit kufitar mes Kosovës e Serbisë. Ata ishin dënuar për kundravajtje dhe ishin mbajtur në burg në Kurshumli, prej nga ishin dërguar në Petrovo Selo, Kladovo, Serbi.

Trupat e pajetë të tyre janë gjetur në korrik të vitit 2001, në një varr masiv ku ishin groposur trupat e 70 shqiptarëve, pranë objektit të trajnimit të Njësisë Speciale Anti-Terroriste (SAJ). Trupat u Agronit, Yllit e Mehmetit ishi me duar të lidhura dhe me plagë me armë zjarri në kokë.

Autoritetet amerikane kanë kërkuar shumë here nga autoritetet e Serbisë ndriçimin e plotë të rastit dhe dënimin e përgjegjësve për vrasjen e tyre. Por, autoritetet shtetërore të Serbisë nuk kanë shprehur asnjëherë gatishmëri për nxjerrjen e urdhërdhënësve për vrasjen e vëllezërve Bytyqi.Postimi i plotë:

Agron, Yll dhe Mehmet Bytyqi, shtetas amerikanë, si shumë vëllezër e motra kishin lënë ëndrrën amerikane për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare në momentet më vendimtare për Atdheun.

Shteti serb përpos që i ekzekutoi pa gjyq, vazhdon me injorimin e krimeve dhe me dekorimin e kriminelëve të luftës, mes tyre edhe ata që dyshohen se vranë Vëllezërit Bytyqi.

Sot e çdo ditë ne ndajmë dhembjen e krenarinë me familjen Bytyqi – me bacën Ahmet e me zonjën Bahrije dhe bashkëluftëtarët e “Atlantikut”.

Shpirti human, atdhedashuria dhe heroizmi i tyre, do të përkujtohen gjithmonë!

(r.m.) 

Comment

*