Uashingrton, 22 korrik 2024 – Koha duket se është në anën e nënpresidentes amerikane Kamala Harris. Një një numër i madh ligjvënësish demokratë, guvernatorësh dhe dhuruesish financiarë shprehën mbështetjen që ajo të jetë kandidatje e partisë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, pasi presidenti Joe Biden e shpalli të dielën vendimin e tij që të tërhiqet nga gara.
Pak pas njoftimit për tërheqje nga gara, Presidenti Biden i shprehu mbështetjen zonjës Harris si kandidate të Partisë Demokrate për t’u përballur me kandidatin e Partisë Republikane, Donald Trump.
Kamala Harris, e cila është 59 vjeçe, njoftoi menjëherë se do ta kërkojë emërimin e partisë. Ajo ishte senatore nga shteti më i populluar i vendit, Kalifornia, kur zoti Biden e zgjodhi si kandidate për postin e nënpresidentes, në vitin 2020.
Vlerësimet rreth saj në anketat kombëtare kanë pasqyruar në masë të madhe ato për presidentin Biden, por disa anketa të votuesve potencialë tregojnë se zonja Harris qëndron pak më mirë se zoti Biden përballë zotit Trump. Në disa ankjeta ajo ka dalë edhe përpara ish presidentit Trump.
Zonja Harris, në një deklaratë pas vendimit të Presidentit Biden për tërheqje nga gara, tha se Biden “bëri atë që ka bërë gjatë gjithë jetës së tij, duke e vënë popullin amerikan dhe vendin tonë mbi çdo gjë tjetër”.
“Unë do të bëj gjithçka që është në dorën time për të bashkuar Partinë Demokratike dhe për të bashkuar kombin tonë, për të mposhtur Donald Trumpin”, tha ajo në një postim në platformën X.
“Kemi 107 ditë deri në ditën e zgjedhjeve. Së bashku, ne do të luftojmë. Dhe së bashku do të fitojmë”, theksoi zonja Harris.
Zonjën Harris e mbështetën menjëherë shumë figura të rëndësishme të kampit të demokratëve, por ka edhe figura që kanë konfirmuar se do të kërkojnë nominimin e Partisë Demokrate për përballje me Trumpin në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Por, zonja Harris e fitoi menjëherë edhe mbështetjen e dhuruesve të fondeve. ActBlue, platforma kryesore e demokratëve për mbledhjen e fondeve, të dielën vonë, tha se vetëm gjatë ditës së djeshme i kishte mbledhur 46.7 milionë dollarë donacione të vogla për fushatën e zonjës Harris. Kjo e dhënë flet për një ndryshim të madh krahasuar me javët e fundiut kur dolli në pah zbehja e mbështetjes për zotin Biden, veçanërisht midis dhuruesve kryesorë.
Vendimi i zotit Biden për tërheqje nga gara presidenciale erdhi pas shtimit të thirrjeve brenda Partisë Demokratike që ai t’i hapë rrugë dikujt tjetër, pasi anketat tregonin për rënie të mbështetjes për Bidenin, sidomos pas paraqitjes së tij të dobët në debatin televiziv me zotin Trump.
(r.m.)