Prishtinë, 14 shtator 2026 – Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, është I bindur se konstituimi i Kuvendit të Kosovës është bërë në shkelje të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit.
“Konstituimi i Kuvendit të dielën nuk ka ndjekur asnjë rrugë kushtetuese të përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në veçanti me nenin 67 të saj, me nenin 12 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese që i kanë interpretuar këto dispozita në të kaluarën”, ka thënë Hasani në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
Sipas tij, është e pritshme që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme dhe të pezullojë veprimtarinë e Kuvendit deri në shqyrtimin përfundimtar të rastit.
“Nuk do të ishte profesionale që tani, kur çështja është e qartë, Gjykata të lejonte funksionimin e Kuvendit të Kosovës, i cili, sipas këtyre parametrave kushtetues, është konstituuar në shkelje të Kushtetuts. Gjykata e ka bërë këtë edhe herën e kaluar, kur Kuvendi i Kosovës, në mënyrë jokushtetuese, e konsideroi veten të konstituuar dhe vendi më pas shkoi në zgjedhje. Tani që situata është sqaruar, përmes aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit nuk do të duhej të lejonte që gjendja jokushtetuese të vazhdonte më tej”, është shprehur ai.
Hasani ka thënë se çka ndodh me qeverinë nëse Gjykata Kushtetuese e shpall jokushtetues konstituimin e Kuvendit. Sipas tij, në këtë rast, procedura për zgjedhjen e qeverisë duhet të përsëritet.
“Nëse Gjykata Kushtetuese i shpall jokushtetues konstituimin e Kuvendit të Kosovës – diçka që vështirë se mund të mos ndodhë, duke marrë parasysh atë që thashë më sipër dhe standardet kushtetuese që i ka përcaktuar ajo vetë – atëherë ajo duhet të konstatojë edhe jokushtetutshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4 dhe ta rikthejë gjendjen në afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas Hasanit, nëse Gjykata Kushtetuese nuk vendos masë të përkohshme për konstituimin e Kuvendit dhe Presidenti i ri i vendit nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues, atëherë vendi shkon në zgjedhje pas 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, më 13 shtator.
“Këtë afat e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese dhe, siç duket, këtë afat po e respekton edhe zoti Kurti, sepse dështimi i zgjedhjes do ta çonte vendin në zgjedhje më 27 dhjetor 2026”, ka theksuar Enver Hasani.
(r.m.)