Haxhi Shala intervistohet nga Prokuroria e Specializuar me seli në Hagë

Prishtinë, 11 dhjetor 2023 – Haxhi Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është ftuar të hënën për intervistim nga Dhoma e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

Djali i tij, Flakroni, ka treguar se Haxhi Shala është duke u intervistuar në zyrat e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), në Fushë Kosovë. Ai ka thënë se nuk e di arsyen e intervistimit.

“E kanë ftuar për intervistim. Deri më tani e kemi vetëm këtë informatë. Nuk i dimë arsyet. Tani ndodhet në zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë”, ka thënë ai.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka konfirmuar se në Kosovë janë duke u zhvilluar operacione, por nuk ka dashur të komentojë rastet specifike.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të mëtejme”, ka thënë zëdhënës Christopher Bennett.

Vëllai i Haxhi Shalës, Avniu, ka thënë se zyrtarë të Prokurorisë së Specializuar dhe pjesëtarë të EULEX-it kanë shkuar në shtëpinë e Shalës rreth orës 8 të mëngjesit dhe e kanë njoftuar se është i ftuar për intervistim.

Sipas Avniut, Haxhiu është i dyshuar për pengim të drejtësisë.

Pak kohë më parë, me urdhër të Dhomës së Prokurorisë së Specializuar, është arrestuar ish-kryetari i komunës së Malishevës, Isni Kilaj. Ai është arrestuar si i dyshuar për pengim të drejtësisë.

Në muajin tetor janë arrestuar dhe janë transferuar në njësinë e paraburgimit në Hagë edhe Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari. Sipas Dhomës së Prokurorisë së Specializuar, ata akuzohen “për frikësim dhe tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Gjatë këtij viti, me urdhër të Dhomës së Prokurorisë së Specializuar, në Kosovë janë kryer disa bastisje. Zyra e Prokurorisë së Specializuar në Hagë ka bërë të ditur se operacionet janë zhvilluar në kuadër të hetimeve për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

(r.m.)