Haxhi Shala nuk deklarohet lidhur me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Specializuar në Hagë

Hagë, 13 dhjetor 2023 –Haxhi Shala, Ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është paraqitur të mërkurën para gjykatësit të procedurës paraprake të Gjykatës Speciale në Hagë, dhe është njoftuar me akuzat e ngritura kundër tij nga Prokuroria e Specializuar.

Shala nuk është deklaruar rreth fajësisë apo pafajësisë së tij lidhur me akuzat kundër tij.

“Nuk mund të deklarohem sot. E lë për seancën tjetër”, ka thënë Shala, pasi iu lexua aktakuza.

Ai e ka konfirmuar se e ka pranuar aktakuzën në gjuhën që ai e kupton.

Shala ka të drejtë ta pranojë fajësinë apo të deklarohet i pafajshëm brenda 30 ditësh.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka thënë se do të ketë një seancë tjetër për deklarimin e Shalës dhe se do të caktohet edhe data konferencës mbi ecurinë e çështjes.

Shala u arrestua më 11 dhjetor, ndërsa më 12 dhjetor u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Gjykata ia caktuar atij një avokat mbrojtës kujdestar, deri në emërimin e një mbrojtësi përfundimtar.

Gjykata Speciale ka njoftuar se aktakuza kundër Shalës është konfirmuar më 4 dhjetor 2023 nga gjykatësi i procedurës paraprake.

Haxhi Shala akuzohet për tentim pengimi të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim pengimi të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale, tha të mërkurën në seancë gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou.

Sipas aktakuzës, në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023, Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin (të dy të akuzuar nga Specialja), e kanë kontaktuar një dëshmitar të proKurorisë. Ata e kanë takuar dëshmitarin, në dy raste, veçmas, “për ta nxitur atë që të tërheqë dëshminë ose të mos japë  dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime”.

“Kjo sjellje tregon se Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte personat zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare”, thuhet në aktakuzë.

Më 3 nëntor, me urdhër të Dhomës së Prokurorisë së Specializuar, është arrestuar ish-kryetari i komunës së Malishevës, Isni Kilaj, po si i dyshuar për “pengim të drejtësisë”.

Ndërkaq në muajin tetor janë arrestuar dhe janë transferuar në njësinë e paraburgimit në Hagë edhe Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari. Dhoma e Prokurorisë së Specializuar ka bërë të ditur se ata akuzohen për “frikësim dhe tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përfshirë përmes kërcënimit të rëndë”.

Gjatë këtij viti, në Kosovë janë kryer disa bastisje me urdhër të Dhomës së Prokurorisë së Specializuar. Ndër të tjera, hetuesit e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë bastisur shtëpitë e disa prej ish-bashkëpunëtorëve të Hashim Thaçit, kur ky ishte president i Kosovës, se edhe shtëpinë e ish-drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Zyra e Prokurorisë së Specializuar ka njoftuar se bastisjet janë kryer në kuadrin e një procesi hetimor për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

(r.m.)