Haxhiu: 31 mjete transportuese të konfiskuara në Banjskë i jepen në shfrytëzim policisë

Prishtinë, 4 prill 2024 – Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur të enjten se 31 mjetet transportuese që autoritetet e Kosovës i kanë konfiskuar vitin e kaluar në Banjskë të Zveçanit, i janë dhënë për shfrytëzim Policisë së Kosovës.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, në Banjskë në veri të Kosovës, një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Më pas, në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist dhe e fajëson shtetin e Serbisë për organizim dhe kryerje të tij, derisa Beogradi zyrtar mohon diçka të tillë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Millan Radoiçiq.

Haxhiu ka thënë të enjten para mediave se, përveç automjeteve, Policia pati konfiskuar edhe vilën, restorantin dhe një banesë në emër të gruas së Radoiçiqit.

Radoiçiq besohet se është në Serbi, por është i lirë.

Autoritetet e drejtësisë në Beograd kanë ngritur disa akuza ndaj tij, mirëpo e kanë lënë të lirë, duke ia ndaluar vetëm shkuarjen në Kosovë.

Haxhiu ka thënë se u bashkohet thirrjeve të vazhdueshme të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit që rasti i Banjskës të trajtohet me prioritet nga institucionet përgjegjëse në Kosovë.

Edhe gjashtë muaj pas kryerjes së sulmit, për Radoiçiqin vazhdon të mos ketë një padi nga sistemi i drejtësisë në Kosovë, ani pse një e tillë ishte paralajmëruar deri në fund të marsit të këtij viti.

“Për neve është e habitshme se si ende nuk ka ndonjë aktakuzë, të paktën publikisht, kur tashmë dihen emrat e terroristëve, dihen emrat e krimineleve, dihet se kush e ka udhëhequr këtë sulm terrorist. Ajo çka është e rëndësishme është që Prokuroria Speciale të veprojë në përputhje me përgjegjësitë dhe të mos ketë asnjë rast që nuk adresohet”.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Agjencia Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL) ka lëshuar fletarrestim për të në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të Kosovës, përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, pati thënë se ekstradimi i Radoiçiqit në Kosovë është i pamundshëm, pasi të gjitha hetimet do të kryhen prej “gjykatave vendase”.

Faktori ndërkombëtar ka bërë vazhdimisht thirrje që përgjegjësit e sulmit në Banjskë të përballen me drejtësinë.

Radoiçiq është i përfshirë në listën e zezë amerikane për pjesëmarrje në krim të organizuar ndërkombëtar.

(Radio Evropa e Lirë)