Prishtinë, 2 tetor 2026 – Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se marrëveshja ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për zgjedhjen e president it të ri të vendit vazhdon të jetë në fuqi. Ajo ka shprehur bindjen se Bekim Sejdiu mund të rikthejë kandidfaturën për President, në qoftë se gjashtë deputetët e LDK-së që kanë thënë se nuk e mbështesin kandidaturën e tij japin garanci se do të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit gjatë votimit.
“Kandidati për president është zoti Bekim Sejdiu. Ai u tërhoq nga gara për shkak se nuk e kishte mbështetjen e gjashtë deputetëve të LDK-së, të cilët nuk e përkrahën. Ne nuk jemi tërhequr nga marrëveshja. Jam e bindur se, nëse do të ketë një deklarim se ata do të qëndrojnë në sallë, zoti Sejdiu do të rikthehet. Mendoj se, nëse ka garanci se në Kuvend janë dy të tretat e deputetëve, atëherë ai do të rikthehet”, ka thënë ajo.
Haxhiu e ka cilësuar z. Sejdiu si figurë të përshtatshme për pozitën e president it të vendit.
“E kam vlerësuar faktin që ai pranoi të jetë kandidat i përbashkët i Vetëvendosjes dhe LDK-së, ndërsa çmoj integritetin e tij të lartë profesional dhe moral. Zoti Sejdiu ka shërbyer me dinjitet kudo ku ka qenë, ndaj kam konsideruar se një figurë e tillë është e përshtatshme për postin e presidentit”, është shprehur ajo.
Haxhiu e ka komentuar kushtin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që para zgjedhjes së presidentit të miratohet ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale. Ajo ka thënë se është kundër këtij kushtëzimi dhe ka theksuar se zgjedhja e presidentit duhet të jetë prioritet.
“Unë mendoj se të gjithë, me përgjegjësinë më të lartë, duhet të ulemi dhe të flasim për prioritetet që i kemi, sepse për mua më e rëndësishme është që ta zgjedhim presidentin se sa që ta votojmë ligjin”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka thënë se projektligji për ndryshime e plotësime të Ligjit për Gjykatën Speciale, i propozuar nga PDK-ja dhe kërkesa e Kuvendit për një strategji të përbashkët për mbrojtje institucionale të ish-krerëve të UÇK-së të dënuar nga shkalla e parë e Gjykatës Speciale mund të trajtohen pas zgjedhjes së presidentit të vendit.
Ajo e ka cilësuar si “më të qëlluar” stretegjinë e mbrojtjes në Apel se sa nismën për ndryshimin e Ligjit për Specialen.
“Për bindjen time, më e qëlluar është strategjia e përbashkët ku mblidhen përfaqësuesit e institucioneve, ekspertë të fushës, ekipet mbrojtëse dhe përgatitemi e jemi në shërbim të ekipeve mbrojtëse në procesin e ankimimit në Gjykatën e Apelit, se sa të procedojmë nisma që, edhe ata vetë e dine, mund të mos çojnë kërkund”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka theksuar se dërgimi i vendit në zgjedhje të tjera të parakohshme do të ishte gabimi më i madh i partive politike.
“Besoni, gabimi më i madh që mund të bëjmë tani, veçanërisht pas vendimit të Hagës, do të ishte ta çonim vendin në zgjedhje të parakohshme. Prandaj u bëj thirrje partive politike për seriozitet dhe konstruktivitet”, ka theksuar ajo.
(r.m.)