Haxhiu bën thirrje për kompromis për çështjen e presidentit

Prishtinë, 19 prill 2026 – Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje partive politike që gjatë javës në vijim të intensifikojnë përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Ajo ka theksuar se java e ardhshme do të jetë vendimtare dhe ka theksuar se e mirëpret çdo lëvizje të partive drejt arritjes së kompromisit. 

“Nuk kanë mbetur edhe shumë ditë. Por, në qoftë se ka vullnet mund të kryhet brenda shumë pak orësh. Prandaj i ftoj edhe sot, këtë të diel, që javën qe e kemi para nesh ta shfrytëzojnë me takime dhe të cilat uroj të përmbyllen me një konsensus sa i përket emrit të presidentit të ardhshëm”, ka thënë Haxhiu.

Thirrja e ushtrues së detyrës së Presidentes vjen një ditë para takimit të paralajmëruar të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Albin Kurti, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

Kurti dhe Abdixhiku janë takuar edhe javën e kaluar. Të dy kanë lënë të hapur mundësinë e arritjes së marrëveshjes për propozimin e një kandidati konsensual, por, siç kanë thënë, nuk kanë përmendur asnjë emër.

Kurti I ka dërguar ftesë joformale për takim edhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, por ai ka thënë se nga Kurti pret thirrje zyrtare.

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri përfundon më 28 prill. Në qoftë se deri atë ditë nuk zgjidhet presidenti i ri, atëherë Kuvendi shpërndahet me automatizëm dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Të gjitha partitë politike, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, kanë deklaruar se janë kundër zgjedhjeve të reja, të cilat do të ishin zgjedhjet e treta të parakohshme për një vit e gjysmë.

Edhe njohësit e skenës politike në Kosovë janë shprehur kundër zgjedhjeve të reja. Sipas tyre, zgjedhjet e reja vetëmsa do ta thellonin krizën politike në Kosovë, duke qenë se ato nuk pritet të prodhojnë rezultat shumë të ndryshëm nga ai i zgjedhjeve të fundit.

(r.m.)

Comment

*