Haxhiu bën thirrje për marrëveshje politike: Zgjedhjet do të duhej të ishin opsioni i fundit

Prishtinë, 16 gusht 2026 – Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje partive parlamentare që të arrijnë një konsensus politik për zgjedhjen e president it të ri të vendit. Në një deklratë publike, të shpërndarë përmes rrjeteve sociale, ajo ka theksuar se tri palë zgjedhjet e fundit kanë dëshmuar se një marrëveshje politike, sidomos për pozitën e presidentit, është e domosdoshme për të shmangur zgjedhje të tjera të parakohshme.

“Tre procese të njëpasnjëshme zgjedhore me rezultat të përafërt janë dëshmi e bollshme që pa dialogim politik, veçanërisht për çështjen e Presidentit, nuk ka zgjidhje për ecje përpara. Është evidente që pa marrëveshje për të i çelet rrugë një procesi të ri zgjedhor, që praktikisht nuk do të sjellë asgjë të re. Aq më pak zgjidhje”, ka thënë Haxhiu.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes ka thënë se krerët e subjekteve politike parlamentare i ka ftuar në një takim të përbashkët me qëllim të arritjes së një konsensusi dhe ka shprehur keqardhje që Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca kanë refuzuar pjesëmarrjen në këtë takim.

“Nisur nga këto fakte dhe nga përvoja e këtyre dy viteve, me vullnetin për të gjetur një konsensus politik, kam ftuar krerët e të gjitha subjekteve politike parlamentare. Më lejoni të shpreh keqardhjen time të plotë që pavarësisht ftesës sime të sinqertë, subjektet politike si PDK dhe AAK refuzuan të njëjtën. Këtë refuzim e konsideroj veprim të gabuar, të pamatur dhe mbi të gjitha mungesë të vullnetit për të tejkaluar pozicionimet barrikaduese. Të tilla pozicione nuk e ndihmojnë askënd, aq më pak Republikën tonë”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka theksuar se zgjedhjet “do të duhej të ishin opsioni i fundit nëse jo fare opsion” dhe ka shfaqur shpresën që PDK-ja dhe Aleanca do të reflektojnë deri të martën dhe do të marrin pjesë në takim.

Deklarata e plotë:

Zgjedhjet e shkurtit 2025 kanë qenë zgjedhjet e fundit të rregullta pas një mandati të plotë qeverisës. Pas këtyre ishin ato të 28 dhjetorit të po atij viti, e më pas edhe ato të 7 qershorit të këtij viti. Të dy këto palë zgjedhje ishin të panevojshme dhe të dëmshme, si për qytetarët ashtu edhe për buxhetin e Republikës. Mbi të gjitha të gjitha këto zgjedhje provuan rezultat të ngjashëm zgjedhor.

Tre procese të njëpasnjëshme zgjedhore me rezultat të përafërt janë dëshmi e bollshme që pa dialogim politik, veçanërisht për çështjen e Presidentit, nuk ka zgjidhje për ecje përpara. Nëse në dimër e pranverë të këtij viti kërkesa e ankesa ishte që të flitej paraprakisht para çdo konstituimi të institucioneve, pavarësisht rezultatit, tash është momenti, mundësia dhe domosdoshmëria për ta zbatuar këtë gjë. Të nisim jo nga ajo çfarë mundemi me lehtësi ta bëjmë, por nga ajo çfarë realisht është nyja që po na çon vazhdimisht në zgjedhje: çështja e Presidentit.

Në këto rrethana ndonëse është hapi i tretë në aspektin formal, çështja e Presidentit, në rastin tonë, është hapi i parë nga duhet të nisemi. Është evidente që pa marrëveshje për të i çelet rrugë një procesi të ri zgjedhor, që praktikisht nuk do të sjellë asgjë të re. Aq më pak zgjidhje.

Nisur nga këto fakte dhe nga përvoja e këtyre dy viteve, me vullnetin për të gjetur një konsensus politik, kam ftuar krerët e të gjitha subjekteve politike parlamentare. Më lejoni të shpreh keqardhjen time të plotë që pavarësisht ftesës sime të sinqertë, subjektet politike si PDK dhe AAK refuzuan të njëjtën. Këtë refuzim e konsideroj veprim të gabuar, të pamatur dhe mbi të gjitha mungesë të vullnetit për të tejkaluar pozicionimet barrikaduese. Të tilla pozicione nuk e ndihmojnë askënd, aq më pak Republikën tonë.

Qyetarët e vendit vazhdimisht janë duke folur qartë përmes zgjedhjeve, ndërkaq është detyrë e jona si përfaqësues të tyre e si udhëheqës partish e institucionesh politike ta zbatojmë atë në praktikë. Kosova ka nevojë për shumë punë. Zgjedhjet do të duhej të ishin opsioni i fundit nëse jo fare opsion.

Mbetem me shpresën që deri të martën të kemi reflektim e takimi të jetë sa më i dobishëm drejt gjetjes së një zgjidhje.

(r.m.)