Haxhiu: Dokumentimi i krimeve të Serbisë në Kosovë është obligim edhe ndaj brezave që vijnë

Prishtinë, 1 gusht 2026 – Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka vlerësuar punën e Institutit për hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë, i cili e publikoi listën fillestare të viktimave të luftës.

“E vlerësoj veçanërisht punën e stafit të Institutit, i cili përballet çdo ditë me materiale dhe dëshmi të rënda, duke e trajtuar secilin rast me kujdesin profesional dhe njerëzor që meriton. Për vite të tëra, të dhënat ishin të shpërndara në arkiva të ndryshme, në dosje institucionesh e organizatash dhe në dokumentet që familjet i kishin ruajtur vetë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo ka thënë se Instituti duhet të vazhdojë punën për dokumentimin e masakrave, dëbimeve, dhunës seksuale, burgosjeve, torturave, varrezave masive dhe dëmeve të tjera të shkaktuara nga Serbia gjatë luftës.

“Kjo punë duhet të vazhdojë derisa asnjë viktimë të mos mbetet pa emër, asnjë krim pa u dokumentuar dhe e vërteta të mos mbetet vetëm në kujtesën e familjeve, por të zërë vendin që meriton në historinë dhe ndërgjegjen e shtetit tonë”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka theksuar se “dokumentimi i së vërtetës nuk është vetëm një detyrë institucionale, por edhe një obligim moral ndaj viktimave dhe brezave që vijnë”.

Deklarata e plotë:

Para disa ditësh, Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë paraqiti për herë të parë listën institucionale të viktimave të luftës. Janë dokumentuar gjithësej 12,230 viktima të luftës në Kosovë.

Lista është preliminare dhe puna vazhdon.

Pas çdo numri është një jetë e ndërprerë, një familje që pret drejtësi dhe një dhimbje që nuk është shuar kurrë. Pikërisht për këtë, dokumentimi i së vërtetës nuk është vetëm një detyrë institucionale, por edhe një obligim moral ndaj viktimave dhe brezave që vijnë.

E vlerësoj veçanërisht punën e stafit të Institutit, i cili përballet çdo ditë me materiale dhe dëshmi të rënda, duke e trajtuar secilin rast me kujdesin profesional dhe njerëzor që meriton.

Për vite të tëra, të dhënat ishin të shpërndara në arkiva të ndryshme, në dosje institucionesh e organizatash dhe në dokumentet që familjet i kishin ruajtur vetë.

Kur nisëm procesin e rithemelimit të Institutit, ishte e qartë se ai nuk duhej të ishte një strukturë e përkohshme, e varur nga vendime të çastit, por një institucion i qëndrueshëm me mandat të qartë dhe vazhdimësi. Për këtë arsye u themelua me ligj të posaçëm, duke e bërë dokumentimin e krimeve të luftës detyrim të përhershëm të shtetit.

Raporti i paraqitur këto ditë është dëshmia e parë e rëndësishme e këtij angazhimi. Instituti ka nisur ta krijojë evidencën zyrtare të viktimave, ndërsa puna duhet të vazhdojë me dokumentimin e masakrave, dëbimeve, dhunës seksuale, burgosjeve, torturave, varrezave masive dhe dëmeve të tjera të shkaktuara nga Serbia gjatë luftës.

Kjo punë duhet të vazhdojë derisa asnjë viktimë të mos mbetet pa emër, asnjë krim pa u dokumentuar dhe e vërteta të mos mbetet vetëm në kujtesën e familjeve, por të zërë vendin që meriton në historinë dhe ndërgjegjen e shtetit tonë.

(r.m.)