Haxhiu: Duhen dy kandidatë për president për të thirrur seancën e Kuvendit

Prishtinë, 4 mars 2026 – Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se ende nuk është krijuar kushti për thirrjen e seancës së Kuvendit për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Në një konferencë për medie, Haxhiu ka thënë se deri më tash është propozuar vetëm një kandidat për president, kandidati I Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ndërsa për zgjedhjen e presidentit duhet të hyjnë në garë së paku dy kandidatë.

“Mund të ketë kërkesa për seancë të jashtëzakonshme, por seancë për zgjedhje të presidentit s’mund të ketë pa i pasur së paku dy kandidatë”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka thënë se afati i fundit për thirrjen e seancës për zgjedhjen e presidentes është 5 marsi dhe u ka bërë thirrje deputetëve që të propozojnë së paku edhe një kandidat tjetër.

“Zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Afati kushtetues është 5 marsi i vitit 2026, pra kemi më pak se 30 orë deri në përfundim të këtij afati që e bën situatën më urgjente. Ftojë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që deri tash nuk kanë dhënë nënshkrimet të reflektojnë dhe ta shqyrtojnë mundësinë për propozimin e së paku një kandidati tjetër”, ka thënë ajo. 

Kryeparlamentarja Haxhiu ka thënë se nëse deri nesër nuk do të ketë një kandidat për president nga opozita dhe nëse nuk thirret seanca e Kuvendit, atëherë Kosova futet në një “terren të pashkelur”.

“Sipas Kushtetutës së Kosovës, afati 60 ditor nis nga dita kur ftohet seanca e Kuvendit të Kosovës për çështjen e presidentit dhe tentohet zgjedhja e tij apo e saj. Por, ky afat nuk ka nisur sepse nuk janë dy kandidatë për president në mënyrë që të ftohet seanca”, ka thënë ajo.

“Në situatën aktuale, vetëm nëse në raundin e tretë, asnjëri prej kandidatëve nuk i merr 61 vota, siç parashihet me Kushtetutë për t’u bërë president, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzkonshme. Tjetra që parashihet me Kushtetutë është se nëse brenda afatit 60 ditor nuk arrin të zgjidhet presidenti i Kosovës, prej nisjes së procedurave, që bie se nëse do të nisnim sot, por meqenëse nuk kemi nisur ky afat nuk filloi të vlejë. Me situatën kur nuk ka një kandidat të dytë, ndonëse presim deri nesër edhe një kandidat tjetër nga opozita, por, nëse jemi pas datës 6 e tutje, nuk përcaktohet qartë se çka ndodhë nëse presidenti zgjidhet pas këtij afati. Hyjmë në një terren tjetër, shpesh quhet terren i pashkelur”, ka thënë Haxhiu.

“Në këtë situate, kërkohet maturi dhe përgjegjësi nga të gjitha palët dhe interesi i Republikës së Kosovës dhe i qytetarëve të vendoset para çdo kalkulimi”. Ka theksuar ajo. 

(r.m.)