Haxhiu e Kurti kërkojnë që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE

Prishtinë, 30 qershor 2026 – Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë kërkuar që Bashkimi Evropian t’ia japë Kosovës statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.

Haxhiu e Kurti e kanë adresuar këtë çështje në takimet që kanë zhvilluarf të martën në Prishtinë me Valentina Supertin, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian.

Presidenca e Kosovës bëri të ditur se Haxhiu ka thënë se BE-ja duhet të njohë progresin e bërë në Kosovë.

“U.D. Presidentja theksoi se Kosova ka mbajtur kurs të qartë në reformat evropiane, është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, dhe po i zbaton me seriozitet obligimet që dalin nga Agjenda e Reformave dhe Plani i Rritjes. Ajo kërkoi që progresi i Kosovës të marrë përgjigje të qartë politike nga Bashkimi Evropian përmes avancimit drejt statusit kandidat dhe hapjes së negociatave të anëtarësimit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në njoftim thuhet se Haxhiu ka theksuar rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit dhe ka bërë thirrje që Kosova të trajtohet në mënyrë të barabartë nga BE-ja.

“U.D. Presidentja Haxhiu theksoi gjithashtu rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit dhe të bashkëpunimit të barabartë rajonal, ku Kosova duhet të trajtohet me të njëjtën mundësi për përfaqësim, lidhje infrastrukturore, tregti, digjitalizim dhe qasje në iniciativat e tregut të përbashkët”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Edhe Kurti ka theksuar se anëtarësimi në BE është “qëllimi dhe e ardhmja” e Kosovës. Ai ka thënë se Kosova, “e ka kthyer përkrahjen e Bashkimit Evropian në një demokraci gjithëpërfshirëse që promovon vlerat evropiane, e cila dëshmohet edhe me mbështetjen e madhe ndaj BE-së”.

Sikurse ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, Kurti ka thënë se “vullneti i popullit të Kosovës për anëtarësim, duhet të marrë përgjigje me vullnet për pranim nga Bashkimi Evropian”.

Duke folur për progresin e Kosovës, Kurti ka thënë se Kosova “prin në indekset e matjes së sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, të drejtave politike, liritë civile, si dhe në indekset e zgjedhjeve”.

Ai ka theksuar edhe përparimin e vazhdueshëm të Kosovës në “përmbushjen e reformave evropiane, linjëzimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Evropian, si dhe zhvillimin ekonomik”.

Kurti ka folur edhe për bashkëpunimin rajonal dhe për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Proces të Berlinit, me theks në ratifikimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë nga Bosnja e Hercegovina të marrëveshjes për njohjen e diplomave të universiteteve të të dyja vendeve.

(r.m.)

Comment

*