Haxhiu e mirëpret propozimin e KGJK-së për lirim nga detyra të gjyqtarëve serbë të dorëhequr

Prishtinë, 27 gusht 2026 – Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka mirëpritur propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për largimin nga detyra të gjyqtarëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.

Haxhiu ka thënë se ajo do të ndërmarrë veprime për lirimin e tyre nga  detyra, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese të saj.

“Përshëndes propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022. Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, sapo Këshilli Gjyqësor i Kosovës t’i dërgojë propozimet, do të ndërmarrë veprime për lirim nga detyra të tyre”, ka thënë Haxhiu.

KGJK i refuzoi të enjten kërkesat e gjyqtarëve dhe stafit administrativ nga komuniteti serb në pjesën veriore të Kosovës për tërheqje të dorëheqjeve dhe rikthim në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Gjyqtarët dhe stafi administrativ nga komuniteti serb në pjesën veriore të Kosovës kishin dhënë dorëheqje në mënyrë kolektive nga sistemi gjyqësor i Kosovës, në vitin 2022, në shenjë proteste ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës për shpërbërjen e strukturave paralele serbe dhe mbylljen e institucioneve ilegale të Serbisë në Kosovë.

(r.m.)