Prishtinë, 13 shtator 2026 – Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pas zgjedhjes së tre nënkryetarëve të Kuvendit, e shpalli të konstituuar legjislaturën e XI të Kuvendit të Kosovës.
“Konsideroj që Kuvendi i Republikës së Kosovës konsiderohet i konstituuar”, tha Haxhiu, para mbylljes së seancës, të dielën.
Në këtë seancë, në të cilën munguan deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) deputetët e Aleancës dhe disa deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)u zgjodhën edhe tre nënkryetarë të Kuvendit: Kujtim Shala nga LDK-ja, Tanja Vujoviq nga komuniteti serb dhe Emilia Rexhepi nga komunitetet joshumicë joserbe.
Votimi për nënkryetarin e Kuvendit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) u kapërcye për shkak se mungesës në seancë të deputetëve të kësaj partie. Para fillimit të seancës, PDK-ja njoftoi se nuk do të merrte pjesë në seanca të tjera të Kuvendit dhe bëri të ditur se çështjen e konstituimit të Kuvendit do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Gjithashtu njoftoi se kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit e ka tërhequr deri në akgjykimin e Kushtetueses.
Ndërkaq Haxhiu, duke u thirrur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2025, tha se, meqenëse PDK-ja nuk po merrte pjesë në seancë, procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve do të vazhdonte me zgjedhjen e kandidatëve të subjekteve tjera parlamentare.
“Kuvendi nuk mund të mbetet peng i askujt, i asnjë subjekti politik”, tha ajo kur kërkoi që Kuvendi të votojë për kandidatët e tri subjekteve tjera parlamentare.
Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e 8 tetorit 2025, e kishte lënë të hapur mundësinë që, në rrethana të caktuara, Kuvendi të funksionojë edhe pa njërin nga anëtarët e Kryesisë, nëse zgjedhja e tij pamundësohet për çfarëdo arsyesh dhe nëse Kryesia ka kuorum për vendimmarrje.
Edhe pas përfundimit të seancës, kryeparlamentarja Haxhiu, shpjegoi përse vazhdoi me votimin e kandidatëve të subjekteve tjera pa votimin e kandidatit të PDK-së.
“Për tri herë radhazi, përfaqësuesit e PDK-së nuk ishin të pranishëm në seancën konstituive dhe, rrjedhimisht, nuk e ushtruan të drejtën e tyre kushtetuese për ta propozuar kandidatin”, shkroi ajo në Facebook.
Ajo tha se pozita e nënkryetarit nga PDK-ja mbetet e rezervuar dhe Kuvendi do ya zgjedhë atë kurdo që PDK-ja merr pjesë në punimet e Kuvendit dhe e propozon kandidatin e saj.
“Institucionet duhet të funksionojnë. Kosova ka nevojë për përgjegjësi, vendimmarrje dhe punë. Vullneti i qytetarëve duhet të respektohet dhe procesi i funksionalizimit të plotë të institucioneve duhet të vazhdojë pa vonesa të panevojshme”, shkroi Haxhiu.
Lideri i LVV-së e Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e mirëpriti konstituimin e Kuvendit.
“Urime konstituuimi. Përafërsisht tre muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit u konstituua Kuvendi”, tha ai.
Kurti e cilësoi si “të arritur” faktin se këtë herë Kuvendi i konstituua më shpejt se pas zgjedhjeve të dhjetorit të vitit të kaluar. Ai tha se tani pritet formimi i qeverisë së re dhe jetësimi i marrëveshjes mes LVV-së e LDK-së për zgjedhjen e President it të ri të vendit.
“E dini se vitin e kaluar u deshën 8 muaj nga zgjedhjet që të konsituuohet Kuvendi. Nga tetë tash e kemi sjellë në tre muaj. Do të ishte më mirë të bëhej më herët. Urime të gjithëve kjo e arritur. Tash duhet të vazhdojmë me formim e qeverisë dhe me zgjedhjen e presidentit për çfarë e kemi marrëveshjen me LDK-në”, tha Kurti.
Edhe Kurti tha se nënkryetari i Kuvendit që i takon PDK-së do të zgjidhet kurdo që deputetët e kësaj partie kthehen në Kuvend dhe e propozojnë kandidatin apo kandidaten e tyre. Ai tha se deputetët e LVV-së do ta votojnë edhe Vlora Çitakun, për të cilën nuk kishin votuar në seancën e mbajtur të premten.
“Nënkryetari i dytë i Kuvendit i takon PDK-së. Në çdo moment që janë të gatshëm ta propozojnë zonjën Vlora Çitaku ne menjëherë do ta votojmë”, tha Kurti.
PDK-ja dhe Aleanca, si edhe shumë juristë, e konsiderojnë jokushtetues vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit pas 7 gushtit. Sipas tyre, afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të vendit ka skaduar në fund të ditës së 6 gushtit.
PDK-ja ka paralajmëruar se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Aleanca ka thënë se e është pro dërgimit të çështjes në Kushtetuese. Kurse LDK-ja kanë thënë se do ta mbështesë “çdo nismë ligjore që i jep fund dilemave” rreth kushtetutshmërisë së procesit të konstituimit të Kuvendit.
(r.m.)